BERLIN, 16 mars /ATSH-AFP/ – Kryeministri holandez, Mark Rutte u shpreh se Parisi dhe Berlini nuk duhet t’u imponojnë të tjerëve idetë e tyre për reforma në Bashkimin Europian dhe zonën euro, sipas disa pjesëve të shkëputura të një interviste të publikuar sot.
Paralajmërimi vjen pikërisht në takimin e shumëpritur midis kancelares Angela Merkel dhe presidentit Emmanuel Macron në Paris për diskutime mbi propozimet për të ardhmen e BE-së para Këshillit Europian që do të organizohet më 22 dhe 23 mars.
”Liria e qarkullimit ekziston në BE dhe sigurisht që qeveria e re gjermane mund të shkojë të takojë qeverinë franceze kur të dëshirojë pa qenë ne të pranishëm”, u shpreh në mënyrë ironike Mark Rutte.
Mark Rutte e ka në qendër të vëmendjes angazhimin e qeverisë gjermane, si pjesë e koalicionit midis konservatorëve dhe social-demokratëve e zyrtarizuar të mërkurën, për të rritur kontributet në buxhetin e BE-së kryesisht për inovacionin, kërkimet dhe sigurinë e kufijve të jashtëm./ /v.b/ a.jor.













