SEUL, 6 mars /ATSH-DPA/ – Bisedimet midis liderit të Koresë së Veriut, Kim Jong Un dhe një delegacioni të Koresë së Jugut kanë përfunduar me arritjen e një marrëveshjeje mbi organizimin e një samiti me pjesëmarrjen e presidentëve respektivë në muajin prill, njoftoi sot media e Koresë së Veriut.
“Kim mirëpriti dje në mbrëmje delegacionin e Koresë së Jugut, përfshirë këshilltarin e lartë të Sigurisë të presidentit, Moon Jae In, Chung Eui Yong, ku zhvilloi një bisedë të hapur me ta”, raportoi agjencia zyrtare koreano-veriore e lajmeve KCNA.
”Diskutimet kanë përfshirë organizimin e samitit, mënyrat e lehtësimit të tensioneve të përsëritshme ushtarake në Gadishullin Korean dhe vazhdimin e një dialogu”, sipas një artikulli të KCNA në gjuhën angleze.
Gjithashtu, delegacioni i Koresë së Jugut, ku përfshihej edhe shefi i Spiunazhit, Suh Hoon, i dorëzoi Kim një letër personale nga Moon.
Asnjë nga detajet e “marrëveshjes” së raportuar nuk ishin në dispozicion, por sipas KCNA-së Kim ka deklaruar se ishte vullneti i tij për të përparuar fuqishëm drejt marrëdhënieve Veri-Jug.
Nuk është bërë ende e qartë nëse të dy palët kanë diskutuar rreth programit të armëve bërthamore të Koresë së Veriut apo mundësisë së bisedimeve midis Phenianit dhe Uashingtonit./ /a.i/ a.jor.













