TIRANË, 6 Mars/ATSH-Maela Marini/- Linçimi i ditëve të fundit ndaj ushtarakut shqiptar, Artur Meçollari, pjesë e grupit negociator të marrëveshjes së detit me Greqinë, është një përpjekje për të bërë “pis” procesin që po zhvillohet në përputhje të plotë me ligjin dhe interesat kombëtare.
Kështu deklaroi të martën, ministrja e Mbrojtjes, Olta Xhaçka, e cila zhvilloi një seancë dëgjimore në Komisionin e Sigurisë, për çështjen e detit dhe negociatat me Greqinë.
Ministrja Xhaçka iu përgjigj akuzave të deputetëve të opozitës për njërin prej anëtarëve të grupit negociator, Artur Meçollari, duke nënvizuar se “nuk ka asnjë të dhënë kompromentuese për të”.
Ministrja e Mbrojtjes bëri po ashtu publike dy certifikatat e larta të sigurisë që mban ushtaraku shqiptar, të cilat sipas saj, “janë të nivelit të NATO-s”.
“Ushtaraku shqiptar Artur Meçollari është i pajisur me certifikatën e sigurisë së nivelit të NATO-s. Ai ka nivelin më të lartë të aksesit në informacionin sekret jo vetëm për Shqipërinë por edhe për vendet anëtare të NATO-s. Për të pasur këtë nivel sigurie janë shprehur të gjitha strukturat verifikuese në vend. Këtë certifikatë shumëkush këtu i pranishëm nuk e ka dhe nëse do të kishte pasur qoftë edhe një indicie të vetme, ai nuk do ta gëzonte sot këtë nivel sigurie”, argumentoi Xhaçka.
Sipas saj, “sulmi ndaj Meçollarit është politik pasi ai ka qenë një nga zërat dhe ka pohuar me argumente se marrëveshja e viti 2009 për kufirin detar me Greqinë ishte kundër interesave kombëtare”.
Ajo e konsideroi këtë “një përpjekje të dështuar për të delegjitimuar një proces plotësisht transparent”.
“Artur Meçollarin e kam takuar për herë të parë në jetën time në fund të nëntorit 2017. E takova në Kabul, ku ishte ushtaraku më i lartë shqiptar në misionin e NATO-s. Akuzat ndaj tij, janë bërë për të poshtëruar jo një individ, por një proces të tërë që ka të bëjë me të ardhmen e Shqipërisë”, tha Xhaçka.
Çështja e delimitimit të hapësirave detare është një çështje sa komplekse dhe delikate, shtoi Ministrja duke theksuar faktin se “në përballjet diplomatike me palën greke ka qenë e nevojshme ekspertiza në çështjet detare”.
“Kapiten Meçollari ka dhënë kontributin dhe ka ofruar konsulencën e tij për disa ministra të Mbrojtjes dhe të Jashtëm. Konsulenca e Meçollarit për analizimin e situatës ka qenë para dhe pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2010”, tha Xhaçka.
Xhaçka argumentoi faktin se Meçollari është larguar padrejtësisht nga Forcat e Armatosura, duke sjellë përpara deputetëve të komisionit të Sigurisë urdhërat e largimit nga detyra të Meçollarit dhe rikthimin e tij në detyrë me dy vendime gjykatash të formës së prerë në vitin 2014 dhe maj 2015.
Sipas saj, “Meçollari nuk e mësoi kurrë zyrtarisht se cila ishte arsyeja e vërtetë e largimit të tij, apo shkeljet që kishte bërë”. Xhaçka tha se, Meçollari e ndoqi vetë ligjërisht procesin duke e çuar në gjykatë, dhe jo sistemi, që nëse kishte prova duhet ta çonte në prokurori.
Xhaçka hoqi gjithashtu një paralele mes marrëveshjes së 2009 dhe marrëveshjes që po synohet tani me Greqinë për kufirin detar, duke nënvizuar se cili ishte standardi i djeshëm dhe çfarë standardi po ndiqet sot.
“Sa i takon procedurës do të negociohet një marrëveshje vetëm pasi të merret autorizimi i Kreut të Shtetit. Marrëveshja e 2009-s u bë pa Plotfuqishmërinë e Presidentit. Marrëveshja e 2018-s do të ketë një objekt të saktë dhe nëse flasim për metodologjinë, do të merren në konsideratë legjislacionet respektive të palëve, duke përfshirë vijën e drejtë. Kjo është në favorin e Shqipërisë”, tha Xhaçka.
Ajo u ndal po ashtu në procesin e transparencës që karakterizoi secilën marrëveshje, duke theksuar faktin se “në marrëveshjen e 2009 publiku u informua vetëm disa ditë para firmosjes, dhe kjo u bë e ditur nga media”./e.caushi/























