PRISHTINË, 5 Mars/ATSH/- Në 20-vjetorin e rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari dhe familjes së tij, presidenti Hashim Thaçi zhvilloi sot homazhe tek varrezat në Prekaz, ku theksoi se çdo qytetar duhet të ndihet me besim të plotë dhe optimizëm për të ardhmen e sigurt të shtetit të Kosovës.
“Sot jemi këtu për nderime institucionale, shtetërore për të vazhduar me manifestime të tjera. Nderim për rënien heroike, por në të njëjtën kohë edhe përkushtim për ndërtimin dhe fuqizimin e shtetit tonë të pavarur dhe sovran”, deklaroi Thaçi.
Sipas tij, Kosova duhet të jetë një shtet modern, i orientimit euroatlantik, i bazuar dhe i ndërtuar mbi vlerat e luftës çlirimtare ku u bë pjesë një popullatë e tërë.
“Prandaj, sot në këtë 20-vjetor të rënies heroike të komandantit legjendar Adem Jashari duhet të ndihet krenarë çdo qytetar për kontributin e vet dhe rrugëtimin që kemi pasur. Por, duhet të ndihet me besim të plotë dhe optimizëm për të ardhmen e sigurt të shtetit tonë”, tha presidenti Thaçi. KosovaPress /m.m//e.caushi/























