ROMË, 5 mars /ATSH-AA/ – Sipas anketimeve Exit poll për zgjedhjet e përgjithshme të mbajtura dje për të përcaktuar anëtarët e rinj të Dhomës së Deputetëve dhe Senatit të Republikës në Itali rezulton se kryeson me rreth 33-36% aleanca e qendrës së djathtë, e përbërë nga partitë e të djathtës ekstreme me partinë ”Forza Italia” të ish-kryeministrit Silvio Berlusconi, partia e djathtë ekstreme ”Liga”, partia e së djathtës ekstreme “Vëllezërit e Italisë” dhe “Ne me Italinë”.
Sipas anketimeve Exit poll të publikuara nga agjencia zyrtare italiane e lajmeve, ANSA, pas përfundimit të votimit ku kanë votuar rreth 46,6 milionë votues, mësohet se aleanca e qendrës së djathtë ka marrë rreth 33-36% të votave, ndërkohë që ”Lëvizja 5 Yjet” (L5Y) rreth 29-32%.
Gjithashtu theksohet se aleanca e qendrës së majtë aktualisht në qeveri ka marrë rreth 24-27%.
Në krahasim me zgjedhjet e mëparshme është shënuar një rënie me 2-5% në votat e aleancës së qendrës së majtë, ndërsa aleanca e qendrës së djathtë ka shënuar rritje me 3-6% dhe L5Y duke u rritur në 5-7% ka arritur në 29.5-32.5%.
Sipas anketimeve aleanca e qendrës së majtë ka marrë mes 24-27% të votave, ku Partia Demokratike (PD) nën drejtimin e ish-kryeministrit Matteo Renzi që aktualisht është në qeverinë e koalicionit në pushtet ka marrë 20-23%, Partia Liberale Evropiane e Emma Bonino 2-4%, Partia së Bashku e Giulio Santagata 0-2% dhe Partia Lista e Popullore Civile e Beatrice Lorenzin 0-2%.
Partia ”Forza Italia” e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi ka arritur në 12-15%, partia e së djathtës ekstreme ”Liga” e Matteo Salvinit 13-16%, partia e së djathtës ekstreme “Vëllezërit e Italisë” e Giorgia Melonit 3-5% dhe Partia Demokristiane “Ne me Italinë” e Raffaele Fitto-s 0-2%.
Gjithashtu Partia e Lirë dhe e Barabartë (LeU) nën udhëheqjen e presidentit të Senatit Pietro Grasso, i cili u largua nga Partia Demokratike, pritet të arrijë pragun zgjedhor prej 3% dhe të hyjë në parlament.
Sipas Exit poll, asnjë parti apo aleancë nuk mund të arrijë e vetme shumicën për formimin e qeverisë./ a.jor.






















