TIRANË, 29 gusht/ATSH-Maela Marini/ Një investim prej rreth 250 mijë eurosh po zbatohet në Qarkun e Elbasanit për rehabilitimin e urës së Peqinit.
Punimet për rehabilitimin e urës po vijojnë me ritme të kënaqshme ndërsa pritet që ato të përfundojnë brenda 2 muajve.
Në një prononcim për ATSH-në, Prefekti i Elbasanit Maksim Malaj u shpreh se, projekti për rehabilitimin e këmbës së urës së Peqinit po zbatohet nga Autoriteti Rrugor Shqiptar në kuadër të emergjencave me fondet e Bankës Botërore.
“Volumi i punës në këtë urë parashikon 4000m/3 mur gabioni përveç mbushjeve 4200m/3, sistemimit të shtratit të rrjedhjes dhe betonimit, etj. Vlera e projektit është 248.716 euro dhe zbatuesi i projektit është kompania 2 T shpk”, tha Prefekti Malaj.
Pak ditë më parë, drejtori i ARRSH-së Afrim Qëndro u shpreh se në mënyrë të vazhdueshme bëhet monitorimi dhe ndërhyrjet për të gjitha veprat e artit që ka rrjeti rrugor shqiptar.
Për të gjitha veprat e artit, sipas tij, bëhet një kontroll periodik, 2 herë në vit. /j.p/





















