TIRANË, 28 dhjetor /ATSH/ Klubi i futbollit të “Partizanit” zyrtarizoi sot mbylljen e bashkëpunimit me trajnerin Ilir Daja.
Në komunikatën zyrtare të të kuqve në rrjetet sociale, theksohet se palët kanë ndarë rrugët me konsensus, ndërsa kryeqytetasit kanë falënderuar Dajën për punën dhe kontributin e dhënë gjatë kësaj kohe në klub.
“FK Partizani njofton përfundimin e bashkëpunimit me trajnerin Ilir Daja. Në përfundim të vitit kalendarik të aktivitetit sportiv, drejtuesit dhe trajneri Daja kanë zhvilluar një takim në të cilin është diskutuar ecuria dhe performanca e skuadrës. Në përfundim palët kanë vendosur të ndahen miqësisht dhe të ndërpresin bashkëpunimin mes tyre për pjesën e mbetur të sezonit”, thuhet në njoftimin e klubit të “Partizanit”.
“Klubi falënderon trajnerin Ilir Daja për kontributin e dhënë dhe punën e përkushtuar që ka bërë gjatë gjithë kësaj periudhe në drejtimin e ekipit të Partizanit, duke i uruar njëkohësisht shumë suksese në të ardhmen”, theksohet në njoftimin e “Partizanit”.












