Ballina Bota

BRUKSEL – BE-ja vendos sanksione ndaj Wagner Group

BRUKSEL, 10 dhjetor /ATSH-DPA/- Bashkimi Evropian do të vendosë sanksione kundër Wagner Group, një organizatë paraushtarake ruse, gjatë një takimi të ministrave të jashtëm të BE-së të hënën e ardhshme në Bruksel, raportoi sot një zyrtar i lartë i BE-së.

Sanksionet do të zbatohen për tetë individë, Wagner Group dhe tre institucione të tjera të lidhura. Masat përfshijnë një ndalim të udhëtimit në vendet e BE-së dhe ngrirje të çdo pasurie të mbajtur në bllok.

Kufizimet nënkuptojnë gjithashtu se subjektet dhe individët e BE-së nuk mund të bëjnë biznes me ata që janë të implikuar.

Zyrtari i BE-së tha se, sanksionet janë rezultat i aktiviteteve të Wagner Group në Siri, Libi dhe Ukrainë, si dhe i akuzave për shkelje të rënda të të drejtave të njeriut.

Masat hyjnë në fuqi të hënën pasi të miratohen zyrtarisht nga ministrat e jashtëm të BE-së.

Kohët e fundit BE-ja ngriti shqetësime lidhur me vendosjen e Wagner Group në Mali. Anëtarët e BE-së paralajmëruan se do t’i jepnin fund mbështetjes së tyre për shtetin e goditur nga kriza nëse grupit mercenar rus i jepej një kontratë.

BE-ja po zhvillon trajnime ushtarak në Mali për të ndihmuar forcat e armatosura në rajon të luftojnë grupet terroriste. Shteti i paqëndrueshëm i Afrikës Perëndimore është rrënuar prej vitesh nga terrorizmi islamik. //a.i/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakEscobar: Pasoja nëse PD zgjedh dikë “non grata” për të qenë udhëheqësi i saj
Artikulli tjetër2,186,082 vaksinime anti-COVID deri tani