TIRANË, 10 dhjetor/ATSH/ Brigadat e njësisë së Operatorit të Sistemit të Shpërndarjes (OSSH) në Malësi të Madhe janë duke punuar prej ditësh për pastrimin e trasesë dhe lidhjen e linjave të këputura nga reshjet e dëborës.
OSSH bëri të ditur sot se në terren janë angazhuar 23 elektriçistë, të pajisur me bazë materiale dhe mjete pune.
“Fideri i Kelmendit ka shtrirjen më të gjatë, mbi 100 km deri në Vermosh. Në disa zona makina e OSSH kalon me vështirësi. Aktualisht, situata paraqitet më e stabilizuar dhe grupet vijojnë të jenë në gatishmëri maksimale”, informoi OSSH.























