TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Miku i madh i shqiptarëve, Bob Dole, heroi i Luftës së Dytë Botërore dhe ish-kandidati republikan për president, ka ndërruar jetë në moshën 98 vjeçare.
Lajmi u konfirmua nga Fondacioni Elizabeth Dole, ndërsa në muajin shkurt ai kishte njoftuar se ishte diagnostikuar me kancer në mushkëri.
Një ish-udhëheqës i shumicës së Senatit dhe kandidati republikan për president i vitit 1996, me origjinë nga Russell, Kansas, mbrojti gjithçka, nga reformimi i programit federal të pullave ushqimore deri te ndërgjegjësimi për aftësitë e kufizuara.
Dole u angazhua herët në politikën amerikane për Kosovën dhe luajti rol të rëndësishëm në procesin që çoi në krijimin e shtetit të pavarur. Për nder të tij, në Prishtinë është ngritur busti i tij.
Presidenti Ilir Meta përmes një mesazhi ngushëllimi e ka cilësuar senatorin Dole një nga zërat më të fuqishëm dhe më me ndikim në mbrojtje të shqiptarëve dhe kauzave të tyre.
Senatori Bob Dole ishte një nga zërat më të fortë dhe përcaktues në mbrojtje të të drejtave të shqiptarëve. Nga çlirimi dhe pavarësimi i Kosovës, tek sprovat e rrugës Euro-Atlantike të Shqipërisë dhe Kosovës, mbështetja e tij ishte një bekim i pazëvendësueshëm për kombin tonë”, shprehet Basha.
Ambasadorja e SHBA-së në Tiranë, Yuri Kim ka reaguar pas lajmit për vdekjen e senatorit Bob Dole.
“Bob Dole ishte një patriot i vërtetë amerikan. Duke kapërcyer plagët e rënda të marra gjatë Luftës së Dytë Botërore, ai u bë një luftëtar i fuqishëm për kauzën e lirisë. Jeta e tij në shërbimin publik do të mbahet mend jo vetëm në Amerikë, por në mbarë botën, përfshirë Shqipërinë. U preftë në paqe”, shprehet Kim.






















