Memorandum mirëkuptimi mes Universitetit të Miçiganit dhe atij Bujqësor në Kamëz


TIRANË, 5 dhjetor /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një vizitë në Universitetin Shtetëror të Miçiganit ku gjithashtu ka takuar edhe Dekanin e programeve e studimeve ndërkombëtare, Steven Hanson.

Ky takim thekson Rama u zhvillua për rrugën e hapjes së universiteteve tona ndaj universiteteve ndërkombëtare.

Gjatë vizitës në këtë universitet Kryeministri shoqërohet nga ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi.

“Në Universitetin Shtetëror të Miçiganit me Dekanin e programeve e studimeve ndërkombëtare, Steven Hanson dhe ekipin drejtues të këtij universiteti prestigjioz amerikan, në rrugën e hapjes së universiteteve tona ndaj universiteteve ndërkombëtare, me programe e projekte të përbashkëta, të cilat do t’u mundësojnë të rejave e të rinjve shqiptarë studime të nivelit të lartë pa u larguar domosdoshmërisht nga Shqipëria”, shprehet Rama.

Pasi vizitoi ambientet e këtij universiteti Rama tha se, “ishte një vizitë e jashtëzakonshme nga pikëpamja e interesit për të krijuar këtë lidhje mes këtij universiteti shumë të famshëm dhe prestigjioz në SHBA dhe universitetit tonë Bujqësor dhe jo vetëm”.

“Pasi kemi vendosur një marrëveshje mirëkuptimi mes ministres dhe drejtueses së programeve ndërkombëtare këtij universiteti ne presim në fillim të vitit të ardhshëm të kemi një vizitë pune për të parë se si do të ecim më tej në mënyrë që t’i japim një forcë të re universitet tonë Bujqësor dhe jo vetëm. Pra të krijojmë një hapësirë për studentët tanë që të mund të qëndrojnë në Shqipëri dhe të mund të studiojnë me kushtet dhe cilësinë më të lartë që ofrojnë universitetet e huaja përfshirë edhe këtë të Miçiganit”, u shpreh Rama.

“Kjo është një miqësi që lindi nga një tjetër miqësi mes universitetit të Miçiganit dhe profesorëve të këtij universiteti në Afganistan që ne i kemi strehuar në Shqipëri. Në këtë mënyrë kemi hapur një derë të re me miq e partnerë të rinj që do sjellin në Shqipëri më shumë dije  e mundësi për të rinjtë tanë”, tha Rama.

Kurt Richter, profesor në Universitetin e Miçiganit, tha se në muajt në vijim një trup e këtij universiteti do të vizitojë Shqipërinë për të vijuar më tej me marrëveshjen.

 

 

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.