TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Rrajcë-Fushë” në bashkinë e Përrenjasit është fituesja e çmimit të parë të Sfidës së Kodimit për projektin “Smart Park”, një park i veçantë që ndërthur teknologjinë me natyrën dhe botën njerëzore.
Lajmin e bëri të ditur sot kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, njëkohësisht deputet i qarkut Elbasan, duke folur për çmimet e ndara nga British Council Albania.
Sipas tij, “sfida e pestë e Kodimit ka si qëllim nxitjen e nxënësve për të përdorur kodimin në trajtimin e problemeve në komunitetet dhe shkollat e tyre, si pjesë e programit ‘Shkollat e Shekullit 21’“.
Juria e përbërë nga tre anëtarë përzgjodhi tre projektet më të mira nga dhjetë ekipet, të cilat prezantuan projektet e tyre gjatë kësaj sfide.
Dy çmimet e tjera u fituan nga shkolla 9-vjeçare “7 Marsi” nga Tirana, e cila u rendit e dyta me projektin “Shkop i sigurt për të verbërit”, si dhe shkolla “Shyqyri Peza” nga Tirana, e cila u rendit e treta me projektin “Zilja automatike”.
/m.m/a.a/r.e/












