Ballina Ekonomi

Tabaku: Ligji për pastrimin e parave nuk godet thelbin e problemit

TIRANË, 24 nëntor/ATSH/ Kryetarja e komisionit të Integrimit Evropian, Jorida Tabaku u shpreh sot se ligji për pastrimin e parave nuk godet thelbin e problemit, por ndryshimet e kërkuara janë estetike.

Gjatë mbledhjes së komisionit të Integrimit Evropian ku u shqyrtua projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9917, datë 19.05.2008 “Për parandalimin e pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit” të ndryshuar, Tabaku u shpreh se ndryshimet në fjalë nuk prekin thelbin e problemit.

“Lufta kundër Pastrimit të Parave është një nga pikat që Shqipëria duhet të përmbushë për konferencën e parë ndërqeveritare. Mirëpo unë kam parë me kohë që një luftë e tillë është fiktive”, tha Tabaku.

Ajo u shpreh se, në kohën kur ishte nënkryetare e komisionit të ekonomisë dhe financave ka kërkuar informacion për pastrimin e parave.

Tabaku tha se, qeveria nuk ka pasur si qëllim luftën reale dhe se fatkeqësisht disa nga pikat e këtij ligji nuk janë konform dhe standard Acquis.

Ne jemi opozitë, u shpreh Tabaku, nuk jemi qeveri dhe vullnetin tonë nuk mund t’ia kalojmë qeverisë. I takon asaj të ketë vullnet për të luftuar pastrimin e parave.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakLigji për parandalimin e pastrimit të parave sipas standardeve të BE-së
Artikulli tjetërÇmimet e Sfidës së Kodimit, fituese shkolla 9-vjeçare e Përrenjasit