Ballina Aktualitet

Bardhi: PD-në s’mund ta marrë peng askush

TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi u shpreh sot lidhur me përpjekjet për të gjetur konsensus për Kuvendin Kombëtar të kësaj partie.

Kuvendi Kombëtar u thirr nga kryesia e PD-së për datën 18 dhjetor, ndërsa një javë më herët grupi i mbështetësve të “Foltores” së ish-kryeministrit Sali Berisha ka paralajmëruar thirrjen e Kuvendit Kombëtar.

“Qëndrimi im në mbledhjen e Kryesisë ka qenë i qartë duke synuar bashkimin dhe jo përçarjen”, shprehet Bardhi në një reagim.

“Për shkak të respektit që kam për kolegun Gent Strazimiri, po konfirmoj se është e vërtetë që në mbledhjen e Kryesisë kërkova që të merrnim të gjithë së bashku një periudhë reflektimi për të gjetur rrugën që na bashkon dhe jo atë që na ndan. Për këtë propozova pezullimin e vendimmarrjes në mbledhje për të marrë pak më shumë kohë. Për të bashkuar dhe jo për të përçarë u propozova disa prej kolegëve që të kërkonin shtesë të çështjeve që ata mendojnë se duheshin përfshirë në rendin e ditës së Kuvendit Kombëtar, për të përcjellë në rrugë institucionale zërin e pakicës që mendonte ndryshe nga kryetari”, u shpreh Bardhi.

“Ndërsa bëja këtë propozim, kolegët ndërhynë dhe refuzuan propozimin tim, duke ripërsëritur në mbledhje qëndrimin e shpallur paraprakisht nga Berisha në konferencë për shtyp se “Kryesia nuk merr dot vendim, Kuvendi do të zhvillohet në datën 11 Dhjetor dhe rendi i ditës është caktuar”. Në këtë moment kam theksuar se kështu provohet që qëllimi nuk është mbajtja e Kuvendit Kombëtar, dialogu mes demokratëve dhe ndërtimi i platformës së përbashkët për rrëzimin e regjimit të Edi Ramës. Me këtë qëndrim kolegët konfirmuan se qëllimi është mbajtja peng e Partisë Demokratike për hallin personal të Berishës”, theksoi Bardhi.

“Askush nuk ka të drejtë të marrë peng Partinë Demokratike për hallet e tij personale. Problemet personale duhet të mbahen në shtëpi dhe jo të jenë axhendë pengmarrjeje për Partinë Demokratike. Partia Demokratike është e demokratëve që do të kuvendojnë në Kuvendin Kombëtar të PD më datë 18 Dhjetor 2021. Ky është Kuvendi i bashkimit të demokratëve dhe përgjigjja e duhur institucionale ndaj cilitdo që prej më shumë se dy muajve i fryn vetëm zjarrit të përçarjes”, përfundoi Bardhi.

/j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakNjë kopje e kushtetutës amerikane shitet 43 milionë dollarë
Artikulli tjetërMbledhja e parë e legjislaturës e grupit “Miqtë e fëmijëve”