TIRANË, 19 nëntor/ATSH/ Ministri federal për Çështjet Evropiane dhe Ndërkombëtare të Austrisë, Michael Linhart deklaroi sot se, “Shqipëria i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë sa i përket nisjes së bisedimeve për anëtarësim në BE”, dhe shtoi ai, “shpresoj shumë që ato do të zhvillohen tani në dhjetor”.
Linhart po zhvillon sot një vizitë në Tiranë, ku pati një takim edhe me ministren për Evropën dhe Punët e Jashtme, Olta Xhaçka.
Në konferencën e përbashkët për mediet pas takimit, Linhart u shpreh se, “patëm një bisedë shumë të frytshme, për tema të ndryshme, tema që i përkasin marrëdhënieve tona bilaterale, por edhe sa i përket dimensionit evropian, integrimit evropian të Shqipërisë dhe të gjithë rajonit të Ballkanit Perëndimor, që sigurisht, për Austrinë dhe për mua personalisht është edhe një çështje zemre”.
“Ne diskutuam edhe bashkëpunimin në kuadër të luftës kundër pandemisë. Mendoj që është një gjë shumë e rëndësishme që ne këtu bashkëpunojmë kaq fuqishëm së bashku, sepse veçanërisht në raste krizash ne duhet të shtrëngojmë fort njëri-tjetrin dhe ta ndihmojmë fort njëri-tjetrin”, tha Linhart.
Ai nënvizoi se, “Austria ka marrë edhe rolin e koordinatorit në shpërndarjen e vaksinave të vëna në dispozicion nga BE. por gjithashtu, jemi të gatshëm që të japim edhe vaksina nga fondet tona vetjake nëse është e nevojshme”.
“Folëm gjithashtu me homologen time edhe për bashkëpunimin në kuadër të migracionit të jashtëligjshëm, e cila gjatë kohës së pandemisë ishte në rënie, por që tani fatkeqësisht shifrat janë rritur sërish kohët e fundit. Sigurisht që nuk mund t’ia lejojmë vetes që të rikthehemi edhe njëherë në ato shifra siç ishim në vitin 2015-2016. Prandaj dhe ne e vlerësojmë shumë bashkëpunimin në këtë kuadër me Shqipërinë dhe besoj se është e nevojshme të kemi një koordinim dhe një dakordësi shumë të madh me të gjitha vendet, që ta përballojmë këtë kaos të madh që patëm në vitin 2015. Kjo gjë është e mundur vetëm së bashku dhe vetëm me bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit Perëndimor. Ne kemi dhe një bashkëpunim me Shqipërinë dhe me vendet e BE”, tha Linhart.
“Marrëdhëniet tona të shkëlqyera sigurisht që nuk tregohen vetëm në përballimin e sfidave, por edhe në bashkëpunimin shumë të rëndësishëm ekonomik. Ne dëshirojmë që këtë bashkëpunim, me luftën kundër pandemisë, ta rizgjojmë edhe një herë dhe të rivëmë në lëvizje ekonominë. Dëshirojmë që të shikojmë drejt së ardhmes. Dëshirojmë që të bëjmë diçka edhe për bizneset tona, për kompanitë tona. Austria që tani është një nga investitorët më të fuqishëm të jashtëm në Shqipëri. Nga këto investime mendoj se janë krijuar diku tek 3 mijë vende pune në Shqipëri dhe mendoj se në këtë mënyrë ne mund të kontribuojmë edhe pak në mirëqenien e jetës në Shqipëri, veçanërisht për rininë, për t’i ofruar atyre një perspektivë në të ardhmen në vendin e tyre”, tha Linhart.
“Mendoj që tregu i Shqipërisë ka edhe shumë fuqi dhe nëse ne e shfrytëzojmë së bashku këtë fuqi atëherë do përfitojmë të gjithë, do përfitojë Shqipëria, do përfitojë Austria, do përfitojë e gjithë Evropa. Sepse mirëqenia në këtë rajon, do të thotë edhe mirëqenie në Austri, do të thotë mirëqenie në të gjithë Evropën”, tha ai.
“Në Austri ne kemi filluar me një iniciativë, ajo quhet, “Refocus Austria”, e cila synon të rimëkëmbë ekonominë tonë në këtë rikthim pas pandemisë. Ne shoqërohemi nga një delegacion ekonomik pas këtij udhëtimi, kemi disa përfaqësues biznesesh dhe kemi zhvilluar disa takime dhe me investitorët në Shqipëri, që kanë këtu përfaqësitë e tyre, për të diskutuar rreth zhvillimeve të mëtejshme dhe për potencialin që ka Shqipëria për ekonominë dhe për bashkëpunimin ekonomik. Për t’i diskutuar këto tema me Shqipërinë”, tha Linhart.
“Ne shikojmë këtu një potencial jashtëzakonisht shumë të madh. Shqipëria nuk është vetëm një treg i së ardhmes me potencial të madh, por është gjithashtu dhe një vend shumë i rëndësishëm për Evropën tonë të përbashkët. Prandaj për ne është një çështje me rëndësi qendrore që ta mbështesim Shqipërinë në rrugën e saj drejt anëtarësimit evropian, sepse Shqipëria për ne i përket Evropës, si nga pikëpamja kulturore, ashtu edhe nga pikëpamja ekonomike dhe i ka kryer me sukses detyrat e shtëpisë, i ka realizuar reformat që i janë kërkuar. Kështu që hapja e bisedimeve me Shqipërinë janë për mua të një domosdoshmërie të një niveli të lartë dhe shpresoj shumë që ato do të zhvillohen tani në dhjetor. Unë mendoj që siguria, stabiliteti dhe mirëqenia në rajon do të thonë edhe stabilitet dhe siguri në Austri dhe në të gjithë Evropën. Kështu që nuk janë relevante vetëm për rajonin”, theksoi Linhart.
“Mendoj se është shumë e rëndësishme që të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo duhet të thuhet, të gjitha këto vende janë në lartësinë e duhur me vendet anëtare të BE dhe mendoj se ato tashmë duhet të futen në korsinë e shpejtë dhe të mos lihen në një rrugë dytësore, siç janë lënë deri tani. Prandaj së bashku me Çekinë dhe me Sllovakinë kemi bërë disa propozime, të cilat i diskutuam për herë të parë të hënën e shkuar në Këshillin Evropian dhe ma merr mendja se do të ketë disa projekte në këtë kuadër, sidomos edhe për rininë. Erasmus për shembull do të duhej të ishte një projekt që do të duhej të zhvillohej nga e gjithë rinia në Shqipëri, sepse mendoj që të bësh një pjesë të formimit tënd, ta kryesh në një vend tjetër, është një eksperiencë e cila është shumë e bukur dhe pse të mos e kenë këtë mundësi edhe të rinjtë dhe të rejat nga Shqipëria”, tha ai.
“Sigurisht që ne duam që vendet e Ballkanit Perëndimor të ftohen edhe në mbledhjet e Këshillit, sepse unë mendoj që nuk duhet të flasësh vetëm me Ballkanin, por duhet të flasësh edhe me vendet e Ballkanit”, shtoi Linhart.
Sigurisht, theksoi ministri austriak, “ky bashkëpunim duhet të fuqizohet shumë edhe në luftën kundër korrupsionit dhe në luftën kundër emigracionit të palejuar dhe mendoj se këtë mund ta bëjmë duke bërë samite të përbashkëta, midis vendeve të BE dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor”.
/j.p/r.e/






















