TIRANË, 17 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama u prit sot në një takim në Campidoglio, Romë, nga kryetari i ri i bashkisë, Roberto Gualtieri.
Kryeministri Rama shoqërohej në këtë takim nga ministrja e Kulturës, Elva Margariti, ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj etj.
Kryebashkiaku i Romës, Roberto Gualtieri vlerësoi fillimisht bashkëpunimin dhe miqësinë mes dy vendeve.
“Jam shumë i kënaqur që zgjodhët të vizitoni Romën sot, në kuadër të një partnershipi dhe miqësie që është solide, me përvojë, dhe e pasur për një perspektivë në të ardhmen”, tha ai.
Kryebashkiaku i Romës theksoi se, “Italia mbeten vend mik i Shqipërisë dhe e mbështet atë në procesin e integrimit europian, një perspektivë e zgjerimit të BE-së”.
“Do të diskutojmë mbi perspektivën e bashkëpunimit edhe në nivel digjital dhe administrativ. Gjithashtu, kemi eksperiencën e jashtëzakonshme të kryeministrit Rama si kryetar bashkie, i cili mund të na japë ndonjë këshillë nga ana e tij”, tha ai.
Kryebashkiaku Gualtieri tha se Roma është e interesuar të bashkëpunojë me Tiranën sidomos vitin që vjen, kur Tirana do të mbajë titullin “Kryeqyteti Evropian i Rinisë”.
“Roma është e gatshme për të bashkëpunuar ngushtësisht dhe miqësisht me Tiranën dhe gjithë Shqipërinë për shumë tema të përbashkëta, duke nisur nga viti i Rinisë që do keni dhe për të përballuar së bashku sfida të mëdha të qëndrueshmërisë, inovacionit, rigjenerimit urban, ku di që janë ndërmarrë projekte të rëndësishme, për sa i përket aspektit social, për dialogun kulturor mes popujve, mes qytetarëve dhe mes qyteteve”, nënvizoi Gualtieri.
Nga ana e tij, Kryeministri Rama shprehu interesin për të forcuar bashkëpunimin me bashkinë e Romës.
“Roma është jo vetëm kryeqyteti i Italisë, por edhe një tempull shpirtëror për shqiptarët, jo vetëm për besimtarët, pasi mbetet kryeqyteti i Tokës së Premtuar. Kështu jemi rritur dhe e kemi imagjinuar”, tha Rama.
Rama theksoi interesin për të forcuar dhe për të krijuar një lidhje mes qyteteve në nivel kombëtar, si dhe nivel bashkish, me Tiranën.
/atila.i/m.m/r.e/






















