TIRANË, 13 nëntor /ATSH/ Kanë mbërritur pasditen e sotme në Shqipëri edhe 74,880 doza të vaksinës Pfizer, pjesë e kontratës së dytë të qeverisë shqiptare me kompaninë.
Lajmin e ka bërë të ditur ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu e cila thekson se deri tani kanë mbërritur në vendin tonë 2,646,720 vaksina anti-COVID.
“Jemi të vendosur të çojmë deri në fund planin kombëtar të vaksinimit, për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të çdo qytetari”, tha ministrja.
Nga 1 nëntori e deri sot janë më shumë se 21 mijë qytetarë kanë marrë dozën e tretë të vaksinës, si një garanci më shumë për të qenë të mbrojtur. Ndërsa prej 1 nëntorit sipas udhëzimit të Komitetit të Ekspertëve ka nisur edhe vaksinimi i fëmijëve 12-15 vjeç me probleme të sistemit imunitar.
Prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,980,231 doza të vaksinës ndaj COVID-19, ku 1,042,227 doza të para, 916,432 doza të dyta dhe 21,572 doza të treta.













