Ballina Aktualitet

Bardhi: Kërkesa për Kuvend të dorëzohet në protokollin e PD


TIRANË, 12 nëntor/ATSH/ Sekretari i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi kërkoi sot respektimin e Statutit të PD dhe dorëzimin e firmave për mbledhjen e Kuvendit në protokollin e PD.

Në prononcim për mediet, Bardhi shprehu “shqetësimin e thellë për vijimin e talljes me demokratët dhe shqiptarët. Jeni bërë pa dëshirën tuaj dëshmitarë të procesit të talljes dhe fyerjes së çdo anëtari të PD”.

“Dua të përsëris apelin tim drejtuar kujtdo që gjykon se duhet të mblidhet Kuvendi Kombëtar dhe pretendon se ka arritur të sigurojë kuorumin për nisjen e procedurave për mbledhjen e Kuvendit, të ndjekë procedurat sipas Statutit. Sot nuk janë fyer vetëm anëtarët, por edhe ajo pakicë që ka besuar në lëvizjen e zotit Berisha”, tha Bardhi.

Ai shtoi se, “edhe sikur të jenë arritur 1/8 apo 1/10 siç janë të dhënat tona, ato nuk mund të mbyllen në kasafortë. Edhe zëri i kësaj pakice duhet të dëgjohet nga institucionet e Partisë”.

“Nxirrni firmat nga kasaforta, mos bëni show me gazetarët që nuk janë në gjendje të verifikojnë vetë që nuk janë delegatë, por nuk verifikojnë dot janë apo jo anëtarë apo në territorin e Shqipërisë”, u shpreh Bardhi.

“Ftesa ime është të respektoni Statutin. Kërkesa duhet të dorëzohet në protokollin e PD, institucionet të shqyrtojnë kërkesën dhe zëri i demokratëve të dëgjohet, qoftë ky edhe pakica e pakicës”, theksoi Bardhi.

Bardhi publikoi edhe deklaratën e deputetit Flamur Noka për rregullat që duhen ndjekur për mbledhjen e Kuvendit.

“Në datën 29 tetor, zoti Noka deklaroi se “firmat do të depozitohen në protokoll dhe më pas i takon kryetarit dhe Kryesisë të mbledhin Kuvendin”. Partia nuk është as kasafortë, as bunker. Ju lutem, depozitoni kërkesën në protokollin e PD, jepuni mundësinë institucioneve dhe të mbledhim Kuvendin”, ishte ftesa e Gazment Bardhit, duke iu referuar qëndrimit statutor të para pak ditëve të deputetit Flamur Noka.

“Nëse dikush ka vendosur të veprojë si celulë apo ilegalitet, është i lirë të veprojë, por jo në emër të demokratëve dhe jo në emër të PD”, tha Bardhi.

I pyetur se Paloka tha se nuk ka protokoll në PD, u shpreh se, “është gënjeshtër që PD nuk ka protokoll. Ju e dini si unë, që këtu protokollohet çdo shkresë. Shkresat tona kanë një numër protokolli. Paloka e di shumë mirë, se ushtron funksione të larta. Kryetari i Këshillit Kombëtar është një zyrtar i lartë i PD, nuk është roje kasaforte”.

“Në datën 11 nuk ka Kuvend, por ka miting. Kjo është e drejta e tyre, por Kuvend nuk ka. Demokratët nuk dëgjohen duke i mbyllur në kasafortë, por duke e çuar zërin e tyre tek institucionet e partisë. Në kasafortë mund të mbyllin hallet personale, por jo demokratët. Demokratët kanë vetëm 1 hall: të rrëzojnë 1 orë e më parë regjimin e Edi Ramës”, u shpreh Bardhi.

I pyetur se kur është mbledhur kryesia e Partisë Demokratike për t’i propozuar LSI-së listën e përbashkët me 15 mandate të sigurta, në cilën ditë dhe në cilën orë, Bardhi tha se “nuk është mbledhur sepse nuk ka patur një dakordësi nga kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim dhe Lëvizja Socialiste për Integrim për të patur mundësi që t’i propozohej kryesisë së partisë hyrja me një listë të përbashkët. Qëndrimi konstant, por edhe publik i Lëvizjes Socialiste për Integrim ka qenë që do të duhet të dilnim në dy lista të veçanta, pavarësisht qëndrimit tonë se aksioni opozitar apo vullneti opozitar të maksimalizohej, nëse do të përfshiheshim në një listë, qëndrimi krejt normal i Lëvizjes Socialiste për Integrim sipas vlerësimeve të tyre ishte që ata do të maksimalizonin votën duke hyrë në dy lista të veçanta. Besoj i kujtoni deklaratat publike të zonjës Kryemadhi që me ndryshimet e njëanshme të kodit dhe të Kushtetutës nga Edi Rama përfitonte Lëvizja Socialiste për Integrim, sepse nga 19 mandate që kishte marrë në 2017 do të arrinte të merrte, nëse s’gabo, ka thënë më shumë se 40 mandate me ndryshimet e njëanshme që kishte bërë Edi Rama në Kodin Zgjedhor dhe në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë. Në fakt, besoj se biem dakord të gjithë që ato ndryshime të njëanshme dhe ai veprim akti i paprecedent i regjimit i Edi Ramës ishte një dhunim flagrant jo vetëm i mundësisë që e gjithë opozita të garonte sipas rregullave të njohura paraprakisht, por ishte edhe një nga shkaqet që nuk u përkthye në mandate i gjithë vullneti i popullit opozitar.”

Nëse pas deklaratave të mbrëmshme, do t’i kthejë përgjigje Elona Gurit, Bardhi u shpreh se, “nuk e njoh fare kush është zonja. Unë kam dhënë me dhjetëra konferenca për shtyp. Ju jeni dëshmitarë, konferencat e mia janë publike, ato që u fshehën dhe nuk erdhën një ditë në qarkun e Elbasanit edhe pse drejtuan qarkun e Elbasanit, janë arsyeja e vetme se Lëvizja Socialiste për Integrim nuk arriti dot të merrte asnjë mandat për fat të keq në qarkun e Elbasanit. Besoj ju e dini që Lëvizja Socialiste për Integrim nuk ka zhvilluar fushatë në qarkun e Elbasanit”.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëri-Itali, marrëveshje për trajtimin jetëshpëtues për fëmijët hemofilikë
Artikulli tjetërAhmetaj: Mbrojmë biznesin dhe familjarët nga rritja e çmimit të energjisë