TIRANË, 11 nëntor/ATSH/ Në qytetin bregdetar të Durrësit po zhvillohet sot një aksion pastrimi, në kuadër të Planit të Veprimit për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë, që do të përfshijë të gjithë vendin.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako tha sot se “vazhdojmë aksionin e pastrimit dhe eliminimit të të gjitha pikave të jashtëligjshme të grumbullimit të mbetjeve”.
Ditën e sotme aksioni i pastrimit është përqendruar në parkun e madh natyror të Katundit të ri, ku ka 116 ha pyje halorë.
“Pjesë e pastrimit është edhe gjiri i Lalëzit ku po punojnë ndërmarrjet tona. Pastrimi është detyra jonë e përditshme, por ruajtja e mjedisit është një kontribut i të gjithëve”, shprehet Sako.
Kryebashkiakja Sako bën të ditur se gjatë këtij aksioni kanë bashkëbiseduar edhe me bizneset e zonës për zgjidhjen më efikase rreth evadimit të mbetjeve.
Plani i Veprimit për pastrimin rrënjësor të Shqipërisë nisi të dielën, më 7 nëntor në Vlorë dhe do të përfshijë të gjitha qytetet e vendit.
/k.s/a.a/r.e/





















