TIRANË, 10 nëntor/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se “Holanda e ka mbështetur hapur hedhjen e hapit të mëtejshëm për Shqipërinë dhe thirrjen e konferencës së parë ndërqeveritare”.
Në konferencën e përbashkët për mediet me kryeministrin e Holandës, Mark Rutte, Kryeministri Rama tha se “kemi folur për momentin ku jemi, e dimë shumë mirë që Holanda, Franca e Gjermania dhe të gjithë janë absolutisht gati për t’u ulur si Bashkim Evropian, në konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, për të nisur formalisht procesin e gjatë të negociatave, por duhet zgjidhur ngërçi i krijuar nga vetoja e Bullgarisë”.
Kreu i qeverisë theksoi se, “e falënderoj mikun tim Mark për kontributin e tij personal në komunikimin me palën bullgare, sikundër edhe të tjerët që po bëjnë të gjitha përpjekjet që ta afrojnë pozicionin e Bullgarisë drejt zgjidhjes, maksimalisht dhe mundësisht ta zgjidhin këtë çështje përpara se të mblidhet Këshilli Evropian në dhjetor”.
Më tej Kryeministri Rama tha se, “ne kemi në vazhdimësi një marrëdhënie pune shumë pozitive dhe impakti i Holandës në Shqipëri rritet vit pas viti nga një anë përmes projekteve të përbashkëta dhe mbështetjes që ne marrim për këto projekte nga qeveria holandeze përmes ambasadës së saj në Tiranë, nga ana tjetër për arsye të rritjes të pranisë të biznesit holandez në Shqipëri, qysh nga kompania “Shell”, që është një nga simbolet e sipërmarrjes holandeze e deri tek arkitektët holandezë që janë të përfshirë drejtpërdrejt në zhvillimet e reja në Shqipëri”.
Përtej këtyre, vijoi Kryeministri Rama, kemi një rritje të përvitshme të turistëve nga Holanda dhe shpresojmë se do të vazhdojë më tutje në vitet e ardhshme.
“Jemi shumë të kënaqur, sepse ata vijnë, njohin një realitet i cili është i ndryshëm shpesh herë sesi perceptohet Shqipëria në Evropë kur është shpesh herë me të dëgjuar dhe bëhen ambasadorë të një imazhi tjetër të vendit tonë, të imazhit tonë të përditshëm”, nënvizoi Rama.
Rama bëri të ditur se “kemi folur me Kryeministrin për bashkëpunimin në fushën e sigurisë, për luftën kundër krimit të organizuar dhe jemi të bindur se progresi i bërë në këtë bashkëpunim do të rritet si pasojë e rritjes së kapaciteteve të vëna në dispozicion të këtij bashkëpunimi”.
Po ashtu Rama u shpreh se “kemi folur edhe për mundësinë, këtë unë e kam kërkuar nga Kryeministri Rutte, që Holanda të mbështesë universitetet tona në universitetet evropianë në kuadrin e rrjetit evropian të universiteteve që me mbështetjen e BE-së po arrijnë të krijojnë sinergji fantastike mes universiteteve të ndryshme në hapësirën evropiane”.
Kryeministri Rama tha “kemi folur edhe për një qasje më të hapur ndaj sidomos të rinjve në zonat rurale për t’i përfshirë ata në programe të mëtejshme të mbështetjes për sipërmarrjen në fshat”.
/k.s/a.a/r.e/






















