Ballina Bota

COP26 – Financime për vendet e varfra për përballimin e ndryshimeve klimatike

LONDËR, 8 nëntor /ATSH-DPA/ – Bisedimet COP26 po hyjnë në javën e tyre të dytë, me fokus mbështetjen e vendeve më të varfra për të përballuar ndryshimet klimatike dhe fundin e afërt të negociatave.

Qeveria britanike ka njoftuar planet për të investuar rreth 300 milionë sterlina për të ndihmuar vendet e cenueshme të luftojnë ndikimet e temperaturave në rritje.

Masa është pjesë e fokusit të Britanisë së Madhe, si mikpritëse e Samitit të Kombeve të Bashkuara për Klimën në Glasgou, në mbështetjen e vendeve në zhvillim në përshtatjen ndaj ndikimeve klimatike dhe në adresimin e humbjeve dhe dëmeve të shkaktuara nga rritja e deteve, stuhitë gjithnjë e më intensive, thatësirat dhe zjarret.

Sekretarja për Tregtinë e Jashtme, Anne-Marie Trevelyan do të thërrasë një sesion ministror me ministra nga të paktën 26 vende dhe rajone, duke përfshirë SHBA dhe Komisionin Evropian.

Trevelyan, një mbështetëse e qeverisë britanike për përshtatjen dhe qëndrueshmërinë në COP26, do t’i nxisë kombet të bëjnë më shumë për të mbështetur vendet në zhvillim duke shpallur një angazhim financiar nga Westminster.

Një raport i ekspertit Christian Aid paralajmëron se disa nga vendet më të cenueshme mund të pësojnë një dëm mesatar në ekonominë e tyre prej 64% deri në vitin 2100 me politikat aktuale për të trajtuar ndotjen e klimës./   /os/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakTikTok-u shpëton një 16-vjeçare
Artikulli tjetër​Komandanti i KFOR-it: Situata e sigurisë e qëndrueshme, mbështesim dialogun Prishtinë-Beograd