TIRANË, 5 nëntor/ATSH/ Në të gjithë bashkinë e Durrësit kanë përfunduar deri tani 214 banesa individuale, ndërkohë që 120 familje kanë përfituar grantin në lekë për ti ndërtuar vetë shtëpitë e tyre.
Kryetarja e bashkisë së Durrësit, Emiriana Sako vizitoi banesat e reja individuale që janë ndërtuar në njësinë administrative të Manzës.
“Gjatë vizitës në banesat e reja individuale që janë ndërtuar në njësinë administrative të Manzës. Familjet e Maksut Turja, Shefqet Deda dhe Baki Hushi hynë në shtëpitë e reja shumë të mira e më të sigurta se ato që kanë pasur”, theksoi Sako në një reagim.
“Në të gjithë bashkinë e Durrësit kanë përfunduar deri tani 214 banesa individuale ndërkohë që 120 familje kanë përfituar grantin në lekë për t’i ndërtuar vetë shtëpitë e tyre”, u shpreh Sako.
“Procesi i Rindërtimit po vijon me intensitet jo vetëm në Manzë, por në të gjitha njësitë administrative të Durrësit”, shtoi Sako.
Sako gjithashtu inspektoi kantierin e punëve në njësinë administrative të Manzës, ku u përurua rruga “Gjergji” në Radë.
“Përuruam rrugën “Gjergji” në Radë. Kjo rrugë me gjatësi 530 metra lehtëson ndjeshëm qarkullimin dhe i shërben 300 banorëve të kësaj zone”, theksoi Sako.
/r.e/






















