Ballina Flash

BE, projekte për mbështetjen e bashkive

TIRANË, 15 tetor/ATSH/ Në Gjirokastër u prezantuan projektet e reja të financuara nga Bashkimi Evropian, që mbështesin bashkitë shqiptare në procesin e pranimit në BE.

Gjirokastra si një qytet i përbotshëm dhe një markë e rëndësishme e trashëgimisë kulturore dhe turizmit, u zgjodh qyteti organizator i konferencës “Bashkitë shqiptare dhe procesi i integrimit në BE”.

Ambasadori i BE-së, Luigi Soreca u shpreh se “sjellja e qeverisjes vendore dhe qytetarëve shqiptarë më pranë BE-së është thelbi i ndihmës që BE-ja i jep Shqipërisë”.
Duke e konsideruar këtë konferencë një shkëmbim shumë të frytshëm mbi rolin e qeverisjes vendore në procesin e integrimit në BE, Soreca informoi kryetarët e bashkive se si BE po rrit mbështetjen e saj drejt infrastrukturës dhe shërbimeve publike vendore, zhvillimit ekonomik lokal, inovacionit, krijimit të vendeve të punës, mbrojtjes së mjedisit dhe fuqizimit të të rinjve në Shqipëri.

Sipas ambasadorit Soreca, BE-ja po i kushton gjithnjë e më shumë vëmendje dhe po rrit asistencën  për qeverisjen vendore në Shqipëri, ndërsa Shqipëria po përparon drejt pranimit në BE.

“Suksesi i këtyre aktiviteteve do të varet si nga zbatuesit ashtu edhe nga kontributi pozitiv i të gjithë aktorëve”, u shpreh ambasadori Soreca.

Kryetari i bashkisë së Gjirokastrës, Flamur Golemi theksoi se “bashkitë janë në një proces të rëndësishëm dhe të vazhdueshëm për të përmirësuar qeverisjen lokale, për të rritur standardet e shërbimeve për banorët dhe për të investuar në mënyrë që qytetarët të shohin të ardhmen e tyre këtu, në vendin tonë”.

Sipas tij, tre projektet “Bashkitë për në Evropë”, “BE për bashkitë” dhe “STAR 3-Mbështetja dhe avancimi i reformave të qeverisjes vendore” janë një mundësi më shumë për qeverisjen lokale, një ndihmë e madhe për zhvillimin e ekonomisë si dhe për të çuar përpara procesin e decentralizimit dhe të demokracisë lokale.

Kryebashkiaku Golemi u shpreh se “e çmoj shumë ndihmesën e jashtëzakonshme të ambasadorit Luigi Soreca, për t’i çuar përpara këto projekte, duke dëshmuar se mbetet një mik i madh i Shqipërisë dhe avokat i palëkundur i integrimit tonë në Bashkimin Evropian”.

Projektet që do të mbështeten financiarisht nga BE-ja janë “Bashkitë për në Europë”, “BE për bashkitë” dhe “STAR 3-Mbështetja dhe avancimi i reformave të qeverisjes vendore”.

 

 

/k.s/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakShqipëria me satelitë dhe dronë inteligjentë, forcim i kontrollit mbi territorin
Artikulli tjetërVeliaj: Gjimnazi “Sami Frashëri” hapet në shtator 2022