TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Presidenti Ilir Meta priti sot në një takim të përzemërt kryetarin e Shoqatës së Miqësisë Austri-Shqipëri, ambasadorin Arno Riedel dhe përfaqësues të kësaj shoqate.
Kreu i Shtetit, vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve, miqësinë e fortë tradicionale mes popujve tanë dhe mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë në proceset e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian.
Presidenti Meta përgëzoi përfaqësuesit e shoqatës, vlerësoi kontributin e saj të rëndësishëm në promovimin dhe nxitjen e marrëdhënieve dypalëshe në të gjitha fushat dhe shprehu mbështetjen e tij për aktivitetin e saj.
Në mënyrë të veçantë, Kreu i Shtetit falënderoi ambasadorin Riedel dhe përfaqësuesit e Shoqatës Austri-Shqipëri për përkushtimin e tyre në ndihmë të familjeve të varfra të veriut të Shqipërisë, për të shkolluar fëmijët e tyre në shkollën austriake profesionale “Peter Mahringer” në Shkodër.
/j.p/r.e/























