TIRANË, 5 tetor/ATSH/ Drejtori i përgjithshëm i Doganave, Genti Gazheli zhvilloi një takim me përfaqësues të agjencive doganore, ku diskutuan mbi bashkëpunimin, por edhe problematikat që hasin gjatë punës së tyre.
Kreu i Doganës, Gazheli, i njohu të pranishmit me qasjen e re që dogana shqiptare ka kundrejt sipërmarrjes në kuadër të digjitalizimit të shërbimeve dhe lehtësimit të procedurave, që sipas tij, do të ndikojë në uljen e ndjeshme të nivelit të korrupsionit dhe abuzivizmit nga të dy palët.
Ai theksoi faktin, se agjentët doganorë shihen tashmë si një pjesë integrale dhe shumë e rëndësishme në veprimtarinë e Administratës Doganore Shqiptare, pasi ata janë përballja e parë e biznesit me procedurat dhe shërbimet doganore.
Gazheli kërkoi nga agjentët korrektesë dhe përgjegjshmëri të lartë në respektimin e Kodit Doganor.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave ofron aktualisht 34 shërbime online, për të cilat bizneset dhe qytetarët mund të aplikojnë në mënyrë elektronike. Tashmë 92 % e shërbimeve doganore kryhen online, falë zbatimit të reformës së digjitalizimit, gjë që ka sjellë reduktim të kohës dhe shërbim më të shpejtë për operatorët ekonomikë.
/j.p/r.e/






















