SHKUP, 29 shtator /ATSH/ – Eurokomisioneri për Fqinjësinë dhe Zgjerimin, Oliver Varhelyi mbërriti sot pasdite në Shkup për një diskutim gjithëpërfshirës me kryeministrin Zoran Zaev, sipas njoftimit në llogarinë e tij në Twitter.
“Ne ramë dakord që të fillojmë sa më shpejt zbatimin e projekteve të para kryesore nga Plani Ekonomik dhe Investues për Ballkanin Perëndimor, për të nxitur zhvillimin ekonomik dhe konvergjencën e Maqedonisë së Veriut dhe rajonit me BE-në”, shkroi Varhelyi.
“Po presim me padurim Samitin e BE-së për Ballkanin Perëndimor, javën e ardhshme, në Slloveni”.
“Ballkani Perëndimor është një përparësi kryesore për Komisionin e BE-së. E ardhmja e rajonit është në BE”, theksoi ai.
Komisioneri evropian tha se kishte diskutuar me Zaev përparimin e zgjerimit të BE-së duke hapur bisedimet e pranimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë./ /ervo/






















