TIRANË, 28 shtator/ATSH/ Të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për periudhën janar-gusht 2021 kapën vlerën 12,674 milionë lekë, ose 19.28 % më shumë se në janar-gusht 2020.
Sipas raportit të publikuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF), gjatë periudhës janar-gusht 2021, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 745,033 me një rritje prej 22.22 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, të cilat sollën 92.68 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, ndërsa sigurimet e jetës kanë 7.13 %. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 40.08 % dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 59.92 % të totalit të tregut.
Gjatë periudhës janar-gusht 2021, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 4,622 milionë lekë, ose 7.2 % më pak se në periudhën janar-gusht 2020, ndikuar kryesisht nga pagesa e pjesës më të madhe të dëmshpërblimeve për tërmetet e fundvitit 2019 gjatë vitit të kaluar.
Ndërkohë dëmet e paguara bruto në sigurimin motorik për periudhën janar-gusht 2021 kapën vlerën 2,647 milionë lekë, duke pësuar një rritje me rreth 39.68 % krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

/j.p/r.e/























