TIRANË 22 shtator /ATSH-I.Vata/ Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasan vijon kontrollet e pandërprera në të gjithë qarkun, në zbatim të planit të masave për evidentimin dhe ndëshkimin ligjor të veprimtarisë së kundërligjshme të lojërave të fatit.
Si rezultat i kontrollit është evidentuar një rast i ushtrimit të kësaj veprimtarie të kundërligjshme, dhe është arrestuar në flagrancë 1 shtetas.
“Specialistët për Hetimin e Krimit Ekonomik dhe Financiar në Drejtorinë Vendore të Policisë Elbasan arrestuan në flagrancë për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Organizimi ose ushtrimi i veprimtarive së lojërave të fatit në kundërshtim me ligjin” dhe “Vënia në dispozicion e lokaleve për lojëra të palejuara”, shtetasin: B. D., 31 vjeç, banues në Librazhd, pasi nga kontrolli i ushtruar në ambientet e lokalit të tij iu gjet dhe sekuestrua në cilësinë e provës materiale një telefon në të cilin kishte të hapur faqe interneti për baste sportive”, thuhet në njoftimin nga Drejtoria Vendore e Policisë së Elbasan.
Po ashtu, Specialistët e qarkullimit rrugor në DVP Elbasan arrestuan në flagrancë për veprën penale “Drejtimi i automjeteve në mënyrë të parregullt”, shtetasin K. D., 25 vjeç, banues në fshatin Zdrajsh, Librazhd, pasi është kapur nga shërbimet e Policisë Rrugore, duke drejtuar motocikletën pa leje drejtimi.
Materialet hetimore i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës parë Elbasan, për veprime të mëtejshme.
/j.p/r.e/























