Ballina Aktualitet

Pesë prokurorë shfaqin interes për në KLP

TIRANË, 3 shtator /ATSH/ Përfundon procedura e shprehjes së interesit për kandidatë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë e shpallur nga Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela në datë 22 korrik, bazuar në ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Prokuroria e Përgjithshme njoftoi sot se, në përfundim të afatit të përcaktuar, datë 3 shtator kanë shprehur interes dhe kanë dorëzuar dokumentacionin e kërkuar 5 prokurorë nga prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm.

Deniona Katro, prokurore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë;

Zeqir Hoda, prokuror, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Tiranë;

Sokol Stojani, prokuror, Prokuroria e Përgjithshme;

Elona Alvora, prokurore, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë, Vlorë;

Ludovik Doda, prokuror, Prokuroria e Apelit, Durrës

Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme brenda 7 ditëve nga përfundimi i afatit për dorëzimin e shprehjeve të interesit, do të bëhet verifikimi i dokumentacionit dhe kushteve ligjore.

Pas përfundimit të kësaj procedure kandidaturat do të shpallen në faqen zyrtare, për të vijuar me organizimin e mbledhjes së përgjithshme të prokurorëve pas thirrjes të saj nga Prokurori i Përgjithshëm, në përputhje me legjislacionin në fuqi.

/a.a/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKoha e përpunimit të deklaratave të importit në dogana 88 minuta, nga 197 në 2016-ën
Artikulli tjetërOBSH: Demenca, një sëmundje ende aktuale