Ballina Flash

Osmani takon komandantin e KFOR-it

PRISHTINË, 27 gusht /ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani, u takua në takim të rregullt me komandantin e KFOR-it, gjeneralmajor Franco Federici.

Komandanti i KFOR-it e vlerësoi situatën e sigurisë në vend si të qetë dhe stabile, duke nënvizuar se institucionet përkatëse të sigurisë janë në bashkërendim të plotë me njëra-tjetrën.

Komandanti i KFOR-it informoi Presidenten Osmani për stërvitjen “Stërvitje dhe Trajnim Operacional – OPREH Niveli II”, e cila do të mbahet në shtator, në Kosovë. Kjo është një stërvitje e rregullt rutinore. Stërvitja do të përfshijë zbarkimin e trupave shtesë të vendeve aleate, të cilat do të trajnohen bashkë me njësitet e KFOR-it, si pjesë e Forcës Operacionale Rezervë të KFOR-it.

Gjatë takimit, presidentja Osmani diskutoi me komandantin e KFOR-it për vendimin e institucioneve të Republikës së Kosovës për të ofruar mbrojtje të përkohshme dhe të menjëhershme për kontraktuesit afganë që punojnë në NATO, përfshirë edhe familjet e tyre.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMINT subvencionon bizneset me 3 milionë e 650 mijë euro
Artikulli tjetërMV – 36 viktima nga COVID-19 në 24 orët e fundit