KIEV, 25 gusht /ATSH-AA/ – Qeveria britanike ripohoi sot angazhimet e saj të sigurisë në Ukrainë, në 30-vjetorin e pavarësisë së vendit nga BRSS në 1991.
“Është një nder të përfaqësoj BM-në në ngjarje të tilla të shquara për të përsëritur mbështetjen tonë për Ukrainën dhe për të festuar 30-vjetorin e pavarësisë së vendit”, tha ministri britanik i Mbrojtjes, Jeremy Quin, në Platformën Ndërkombëtare të Krimesë (ICP) në Kiev.
“Fillimi i Platformës Ndërkombëtare të Krimesë nënkupton njohjen nga ana e komunitetit global të nevojës jashtëzakonisht të rëndësishme për të vazhduar presionin për riintegrimin e Krimesë si pjesë e Ukrainës, të cilën BM e mbështet plotësisht”, shtoi Quin.
Downing Street, gjithashtu, rikonfirmoi angazhimin e tij për të punuar së bashku me NATO-n për të siguruar që integriteti dhe sovraniteti territorial i Ukrainës të mbrohet dhe se paqja dhe stabiliteti në rajonin e Detit të Zi të mbështetet përmes koordinimit dhe partneritetit rajonal.
ICP u krijua me qëllim integrimin e Krimesë sërish në Ukrainë, pas aneksimit të paligjshëm të saj nga Rusia në 2014, si edhe për të ndihmuar në rritjen e efektivitetit të përgjigjes së komunitetit ndërkombëtar.
Turqia dhe SHBA-ja, si edhe Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, e konsiderojnë aneksimin si të paligjshëm, ashtu si edhe BE-ja, që vendosi sanksione ndaj Rusisë për këtë. / /ervo/











