OHËR, 14 gusht /ATSH-MIA/ – Ministri i Shëndetësisë i Maqedonisë së Veriut, Venko Filipçe deklaroi sot se numri i të sapodiagnostikuarve dhe të hospitalizuarve me Covid-19 po rritet me shpejtësi dhe se gjatë javëve të ardhshme situata mund të jetë kritike.
”Megjithatë, sistemi shëndetësor është i gatshëm për valën e re”, deklaroi Filipçe.
Ai theksoi se ”vaksinimi është i sigurtë, efikas dhe efektiv”.
”Numri i të sapodiagnostikuarve, por edhe numri i pacientëve, në përgjithësi në gjatë ditëve të fundit po rritet me shpejtësi të madhe. Nëse e shohim dinamikën me të cilën numri rritet, mund te themi se vijojnë disa javë ku situata mund të jetë me të vërtetë kritike”, tha Filipçe, i cili sot ishte për vizitë në spitalin e përgjithshëm në Ohër.
Rritje të numrit të pacientëve ka posaçërisht në disa qytete, siç janë Tetova, Gostivari, Kërçova dhe Kumanova.
”Atje po plotësohen repartet infektive, një pjesë e pacientëve po transferohen në Shkup. Klinika infektive është e mbushur me këta pacientë, gjithsesi edhe me një pjesë të pacientëve të cilët janë diagnostikuar në Shkup. Sistemi është i gatshëm, po ashtu edhe
mjekët në ekipet për rotacion. Jemi të gatshëm për presionin të kësaj vale”, tha Filipçe./ a.jor.





















