Ballina Aktualitet

Shuhen vatrat e zjarrit në Karaburun dhe Dukat

TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Pas një pune intensive disa ditore po shkon drejt fundit operacioni për shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit, përfshirë ato të Karaburunit dhe Dukatit.

Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi deklaron se “më në fund, pas 2 javësh mundi dhe sakrificash, nuk ka më vatra zjarri në Karaburun. Qindra orë betejash, qindra trupa të Forcave të Armatosura e forcave zjarrfikëse, specialistë të zonave të mbrojtura dhe emergjencave civile kanë punuar pa u lodhur për të shpëtuar Parkun Kombëtar të Llogorasë”.

“Kjo stinë e nxehtë s’ka mbaruar por sot, në këtë moment frymëmarrjeje dua t’i falenderoj të gjithë ata që dhanë gjithçka në këto ditë të vështira. Të gjithë po bëjmë detyrën por disa heronj shkojnë përtej detyrës. Prefekti Flamur Mamaj, komandantët që drejtuan operacionet e vështira Gëzimi, Pëllumbi, Idrizi, Arbeni, punonjësit e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, punëtorët e palodhur të zonave të mbrojtura si Nexhipi, Ganiu e të tjerët që nuk i takova dot, sepse ishin gjithë kohën në frontin e betejës me zjarret, pilotët Julian, Agimi, Ervini dhe Agroni, janë shqiptarë të rrallë që meritojnë respekt dhe mirënjohje. Nuk mund ta le mënjanë çdo ushtar të thjeshtë që nuk ia mësova dot emrin, por i pashë veprën. Sfida vazhdon. Ne jemi të gatshëm në krah të komuniteteve lokale”, thekson Peleshi.

Edhe deputeti i PS-së, Damian Gjiknuri shprehet se “personalisht kam ndjekur e jam informuar vazhdimisht për përpjekjet dhe masat e marra gjatë gjithë kohës nga strukturat në nivel qendror dhe lokal”.

“Një lajm i mirë nga shtabi i emergjencave civile në Qarkun e Vlorës. Sapo më informuan se pas një pune intensive disa ditore po shkon drejt fundit operacioni për shuarjen e të gjitha vatrave të zjarrit përfshirë ato të Karaburunit dhe Dukatit. Personalisht kam ndjekur e jam informuar vazhdimisht për përpjekjet dhe masat e marra gjatë gjithë kohës nga strukturat në nivel qendror dhe lokal. Struktura që duhet thënë se kanë bërë maksimumin për përballimin e kësaj situate dhe meritojnë mirënjohje kolektive”, shprehet Gjiknuri.

Ai falënderon  të gjithë trupat e angazhuara, përfaqësuesit e Ministrisë së Mbrojtjes, Drejtorinë e Emergjencave Civile, ekipet e zjarrfikësve të Vlorës, Korçës, Gjirokastrës dhe Tiranës.

“Falenderim edhe për përfaqësuesit e Agjencisë së Zonave të Mbrojtura në Vlorë. Vlerësim maksimal për prefektin e Qarkut, Flamur Mamaj i cili koordinoi me sukses operacionin në terren gjatë gjithë këtyre ditëve duke mundësuar shpëtimin e jetëve të njerëzve dhe banesave”, thekson Gjiknuri.

“Edhe një tjetër rast ku del e qartë nevoja që politika dhe politikanët duhet të mbështesin shtabet e emergjencave dhe ti lënë ato të kryejnë punën e tyre pa u ndërhyrë as për qëllime politike dhe as për ti përdorur për publicitet personal në media. Ne politikanët, sipas rolit dhe detyrës që kemi duhet të bëjmë më të mirën për ti mbështetur strukturat profesionale me çfarë duhet dhe atëherë kur duhet. Organet ligjzbatuese duhet të bëjnë gjithçka për gjetjen dhe ndëshkimin e zjarrvënësve të cilët shkaktuan këto dëme kolosale mbi natyrën. Ngjarje të tilla duhet të na bëjnë të reflektojmë më mirë për raportin që njerëzimi ka ndërtuar me natyrën dhe për furinë e kësaj të fundit kur këto raporte çekuilibrohen”, deklaroi deputeti i PS-së.

/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKuçana për ATSH: Nis ndërhyrja nga ajri për shuarjen e zjarrit në Majën e Rrunës
Artikulli tjetër”La dolce vita” më e shijshme me kafe pa sheqer