Ballina Flash

Digjen 50 hektarë në Bjeshkët e Nemuna

PRISHTINË, 31 korrik/ATSH/- 50 hektarë janë përfshirë nga zjarri që nga dita e djeshme të një pjese të parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna”.

Ende nuk dihet se cili ka qenë shkaktari i përhapjes së madhe të zjarrit në fshatin Shtupeq i Madh në Rugovë, mirëpo kjo zonë sot është lokalizuar.

Përveç njësiteve të FSK-së, zjarrfikësve, pjesëtarëve të parkut dhe Policisë së Kosovës, gjatë ditës së djeshme është kërkuar edhe ndihma e KFOR-it.

Kështu ka bërë të ditur për KosovaPress, zëdhënësi për marrëdhënie ndërkombëtare dhe publikun në Agjencinë e Menaxhimit Emergjent, Nehat Koqinaj. Ai thotë se si shkak i temperatura të larta është përkeqësuar gjendje.

“Situata ditëve të fundit është përkeqësuar shkaku i rritjes së temperaturave. Ku si pasojë dje prej mesditës në parkun nacional ‘Bjeshkët e Nemuna’, ka shpërthyer një zjarr i përmasave të konsiderueshme dhe ka lënë pasoja, e vazhdon të lë pasoja në sipërfaqen e parkut nacional “Bjeshkët e Nemuna, konkretisht në zonën e fshatit Shtupeq”, tregon ai.

Pas përfshirjes së zjarrit, ai tregon se janë aktivizuar të gjitha njësitë e Pejës, njësitë e FSK-së, Policisë së Kosovës dhe pjesëtarëve të parkut. Megjithatë, janë vënë në dispozicion edhe helikopterët e KFOR-it.

“Përmes Qendrës Operative të Ministrisë së Punëve të Brendshme në Qendrën e Situatave të Këshillit të Sigurisë së Kosovës, është kërkuar ndihma nga KFOR-i. Dhe ajo ndihmë është ofruar me helikopterë, sepse terreni i goditur nga zjarri në parkun kombëtar ‘Bjeshkët e Nemuna”’, është jashtëzakonisht i papërshtatshëm në sipërfaqet e thepisura. Njësitë e kanë bërë të pamundurën reagimin me kapacitetin tokësor”, shton Koqinaj.

Ende nuk dihet se çfarë e ka shkaktuar përhapjen e zjarrit në këtë zonë. Megjithatë, Koqinaj shton se gjatë kësaj vere ka pasur edhe zjarre të tjera, por të menaxhuara lehtë me kapacitetet lokale.

“Ne ende nuk e kemi informacionin se ku ka qenë shkaktari dhe kush e ka nis atë zjarr, apo kush e ka nis. Hetimet do të bëjnë vlerësimin dhe do të dalë me konstatim se nga ku është nis dhe ku ka qenë vatra iniciuesi i zjarrit”, përfundon Koqinaj për KosovaPress.

Ai u ka bërë thirrje qytetarëve që të kenë kujdes pas shëtitjeve apo piknikëve në hapësira të hapura, duke mos lënë zjarre të ndezura.

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMinistria e Shëndetësisë: Asnjë humbje jete dhe 45 raste të reja nga COVID-19
Artikulli tjetërKredia e dhënë për informacion komunikimi 2.2 miliardë lekë