TIRANË, 30 korrik/ATSH/ Përfaqësues politikë kanë reaguar sot ndaj deklaratave të ambasadores amerikane Yuri Kim pas një takimi me kreun e Partisë Demokratike, Lulzim Basha ku ajo u shpreh se “do të ishte një ironi historike, por edhe një tragjedi për vendin, jo vetëm për partinë, nëse partia ‘do të hante bar’ për hir të interesave personale të një njeriu”.
Kadilli: Çështje që zvarritet prej kohe
Fatbardh Kadilli u shpreh sot në reagim të deklaratave të Kim se “është e turpshme që kryetari i Partisë Demokratike vihet me shpatulla pas muri nga Ambasadorja e USA për një çështje që zvarritet prej kohe, për një çështje që bën sikur nuk është”.
“Është e pafalshme që vendimet e nesërme të jenë në kundërshtim me standardin dhe kërkesat e SHBA, vendit që ka një peshë të madhe në krijimin dhe mbështetjen e Partisë Demokratike. Është e papranueshme që kryetari, pas këtij takimi, të kryejë veprime dhe të marrë vendime të detyruara vetëm e vetëm për të ruajtur karrierën apo karriken, por aspak pse ai beson me sinqeritet tek aleanca strategjike me SHBA”, vijoi Kadilli në deklaratën e tij.
“Mbërritja në këtë situatë nuk e rrit besimin tek lidershipi i tij por e zvogëlon atë edhe më shumë në raport me Shqipërinë, SHBA dhe demokracinë. Në Kuvendin Kombëtar u bëra thirrje demokratëve “për t’u ndarë nga çdo trashëgimi që na kompromenton, që na mban peng. Sado emocione të na lidhin me atë”. Demokratë të shohim nga e ardhmja”, tha Kadilli.
Hoxha: Kush kërkon nga ne që për të, të hamë bar duhet të përbuzet
Ish-deputeti i PD-së, Fatos Hoxha reagoi duke theksuar se “sot ambasadorja e SHBA na tregoi me gisht gropën ku po rrezikojmë të biem si PD dhe si demokratë, ngase vazhdojmë sypatrembur dhe krenarë, gjithnjë duke rrotulluar në gojë shprehjen “edhe bar do hamë…””.
“Ambasadorja na tregoi se gomarllëkun nuk po e bëjmë për të mbrojtur parimet, sepse parimet tona janë të njëjta me ato të SHBA. Parimet na kërkojnë të distancohemi nga baballarët e korrupsionit, nga kampionët e keqpërdorimit të pushtetit, nga kumbarët e shtetkapjes dhe arkitektët e antidrejtësisë”, u shpreh Hoxha.
“Nëse duam veten, PD, lirinë dhe demokracinë, është koha të çlirohemi…
Kush ka bërë krime duhet të ndëshkohet, kush ka abuzuar me pushtetin duhet të ikë nga sytë-këmbët, kush ka keqpërdorur votën dhe besimin tonë duhet të ndahet nga ne, kush kërkon nga ne që për të, të hamë bar duhet të përbuzet”, përfundoi ish-deputeti i PD-së. /j.p/r.e/















