https://www.facebook.com/edirama.al/videos/277180792867709/
TIRANË, 15 gusht/ATSH/ – Ka përfunduar ndërhyrja e parë e plotë restauruese pas 38 vjetësh lënë në harresë në Kishën 500-vjeçare të Fjetjes së Shën Mërisë në Kosinë të Përmetit.
Kryeministri Edi Rama përmes rrjetit social “Facebook”, ndan pamje nga Kisha e restuaruar e cila ndodhet në Kosinë, një prej 100 fshatrave dhe pjesë e Programit Rrugët e Besimit.
“Mirëmëngjes dhe me këto pamje të Kishës 500- vjeçare të Fjetjes së Shën Mërisë në Kosinë të Përmetit, një prej 100 fshatrave dhe pjesë e Programit Rrugët e Besimit, ku ka përfunduar ndërhyrja e parë dhe e plotë restauruese pas 38 vjetësh lënie në harresë, ju uroj gëzuar Ditën e Shën Mërisë”, tha Rama.
Restaurimi i Kishës “Fjetja e Shën Mërisë”, e dyta për nga vjetërsia në Ballkan, është një tjetër premtim i mbajtur nga Ministria e Kulturës dhe Instituti i Monumenteve të Kulturës, në ruajtjen dhe rijetëzimin e pasurive kulturore.
Që nga viti ’80 ky është projekti i parë restaurues, i cili aplikohet në këtë kishë bizantine, të shek. XII.
Punimet restauruese, u kryen sipas projektit të hartuar nga Instituti i Monumenteve të Kulturës, në bashkëpunim me bërthamën e projektimit të Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, me një vlerë investimi prej 5 milionë lekë të reja.
Ndërhyrja e fundit në këtë kishë mbi 500-vjeçare, monument kulture e kategorisë së parë, daton në vitet ’80, por teknikat e përdorura nuk kanë qenë ato të duhurat.
Kisha e Kosinës është e njohur jo vetëm si një objekt monument kulture me vlera të rralla kulturore dhe arkitektonike.
Ajo u vendos në qendër të vëmendjes në vitin 2011 për shkak të zhvarrosjes së 69 eshtrave shekullore me pretendimin e përfaqësuesve të Kishës Orthodhokse se bëhej fjalë për ushtarë grekë./m.m/






















