TIRANË, 27 korrik/ATSH/ Rritja e zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik dhe mbështetja e krijimit të vendeve të punës është në fokus të kontributit të BE-së.
Kjo po synohet përmes mbështetjes së ndërmarrjeve të vogla e të mesme (NVM) që janë shtylla kurrizore e ekonomisë, tërheqjes së investimeve në sektorë të rinj dhe rritjes së mundësive të tregtisë duke mbështetur hyrjen në tregje të reja.
Këtyre objektivave u shërben edhe thirrja e dytë e projektit “EU4BUSINESS: connecting companies”, një projekt i menaxhuar nga EUROCHAMBRES dhe i financuar nga iniciativa EU4Business e Bashkimit Evropian.
Sipas Agjencisë së Zhvillimit të Investimeve (AIDA), ky projekt i ri do të organizohet mbi një bazë sektoriale. Sektorët e përzgjedhur janë ai i verës, turizmit, tekstileve dhe industria krijuese.
Qëllimi është të shqyrtohen mundësitë për bashkëpunim, duke punuar në krijimin e një produkti ose shërbimi të përbashkët. NVM-të e përfshira do të inkurajohen fuqimisht të zhvillojnë bashkëpunim midis tyre (përfshirë edhe palë të treta nëse janë të interesuara apo të nevojshme) – nënkontraktimet, ndërmarrjet e përbashkëta, etj.
Për këtë thirrje, sipas AIDA-s, mund të aplikojnë shoqatat e biznesit, dhomat e tregtisë, shoqatat e grave dhe agjencitë lokale ose rajonale të zhvillimit ekonomik të themeluara në vendet e përfshira në projekt.
Fondi maksimal që mund të përfitohet është 60 mijë euro, ndërsa afati i fundit për të aplikuar është data 30 gusht.
/r.e/























