Ballina Bota

MV – 25 vite burg për organizatorët e sulmit kundër parlamentit

SHKUP, 26 korrik /ATSH-AA/ – Ish-kryetari i Parlamentit të Maqedonisë së Veriut, Trajko Velanoski u dënua me 6 vjet e gjysmë burg, ish-ministrat Mile Janakievski dhe Spire Ristovski me 6 vjet e 3 muaj burg, ndërsa ish-drejtori i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim (DSK) Vlladimir Atanasovski me 6 vjet burg për ”kërcënim terrorist ndaj rendit kushtetues dhe sigurisë”, për organizimin e sulmit kundër parlamentit, më 27 prill 2017.

Në këtë proces ishin të akuzuar edhe ish-kryeministri, Nikolla Gruevski dhe operativi i DSK-së, Nikolla Boshkovski.

Para se të lexonte vendimet, gjykatësi e arsyetoi ato, ku sqaroi se ndonëse partia në pushtet në atë kohë dhe të akuzuarit pohonin se nuk kishin kurrfarë lidhje me organizimin e protestave që kulmuan me sulm ndaj parlamentit, dëshmitë treguan të kundërtën.

Sipas Prokurorisë për Krim të Organizuar dhe Korrupsion, të akuzuarit e dinin saktësisht se çfarë po bënin dhe kanë bërë çmos me qëllimin e vetëm për të parandaluar formimin e qeverisë së re nga shumica e re parlamentare që tashmë ishte siguruar.

Më 27 prill të vitit 2017, pas zgjedhjes së Talat Xhaferit si kryetar i parlamentit, demonstruesit, të cilët ishin mbledhur para godinës së parlamentit, hynë me forcë në shtëpinë ligjvënëse.

Si rezultat i dhunës nga ana e demonstruesve ndaj deputetëve u plagosën rreth 100 persona, përfshirë deputetë, policë dhe përfaqësues të medias./   /os/

 

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakMeta dekreton gjyqtarin Artur Kalaja në Gjykatën e Lartë
Artikulli tjetërVarianti “Delta”, Bino: Kemi 6 raste të personave të vaksinuar, nuk kanë patur nevojë për kujdes spitalor