Varianti “Delta”, Bino: Kemi 6 raste të personave të vaksinuar, nuk kanë patur nevojë për kujdes spitalor

TIRANË, 26 korrik /ATSH/ Ekspertja e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), Silva Bino informoi se në vendin tonë janë 6 raste të personave të prekur nga variant “Delta”, të cilët kanë qenë të vaksinuar.

Duke folur në mbledhjen e Komitet Teknik të Ekspertëve, Bino tha se “dy nga këto raste  kanë lidhje me udhëtimin në Mbretërinë e Bashkuar dhe kanë qenë të vaksinuar të dyja rastet me AstraZeneca, në Mbretërinë e Bashkuar në muajin prill. Dy raste të tjera kanë qenë të vaksinuar me një dozë Pfizer në Gjermani dhe dy rastet e tjera kanë qenë të vaksinuar me dy doza Coronavac”.

“Pavarësisht kësaj, ajo çka ka rëndësi këtu është për t’u theksuar se asnjë prej rasteve nuk ka patur nevojë për kujdes spitalor”, tha Bino.

“Ajo çka vihet re në botë sot, është se në spitale po rritet numri i të rinjve të cilët kanë nevojë për kujdes spitalor. A po ndodh kjo tek ne? Ndoshta akoma jo. Megjithatë kemi të dhëna nga Shërbimi Infektiv, që ka dhe raste tek të rinjtë, ndaj duhet të jemi të kujdesshëm të promovojnë vaksinimin e të rinjve”, – tha Bino.

Ajo informoi se Shqipëria ka ndjekur modelet e të gjitha vendeve të zhvilluara, për sa i përket vaksinimit.

“Kemi ndjekur edhe modelin e Turqisë që është vaksinuar me Sinovac, pavarësisht se kemi patur strategjinë tonë të vaksinimit, e cila nuk është e kopje e modelit të Turqisë. Natyrisht planifikimi për një dozë të tretë, jo vetëm për vaksinën Coronavac, por edhe për vaksinat e tjera është duke u marrë në konsideratë, dhe do të analizohet nga ekspertët në bazë të të dhënave dhe nga studime të ndryshme në botë”, – u shpreh Bino.

Sipas saj, testi i antikorpeve nuk është diçka që sugjerohet, nuk janë metodologji akoma të standardizuara, mund të japin falsitete.

“Ndaj u them qytetarëve të vaksinohen dhe të ruhen, mos rendin pas analizave të antikorpeve, kjo është elementi më i rëndësishëm”, – tha Bino.

/r.e/

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.