TIRANË, 15 korrik/ATSH/ 340 mijë doza të vaksinës “Coronavac” kanë mbërritur sot në mëngjes në aeroportin “Nënë Tereza”.
Kryeministri Edi Rama thekson se kjo është sasia më e madhe e vaksinave e mbërritur njëherësh në vendin tonë.
Kreu i Ekzekutivit shprehet se numri total i vaksinave të mbërritur anë vendin tonë, tashmë e kalon shifrën 1 milion e gjysmë.
“Mirëmëngjes dhe me lajmin e mirë të mbërritjes pak minuta më parë të 340,000 dozave të vaksinës Coronavac në Aeroportin “Nënë Tereza”, sasia më e madhe e mbërritur njëherësh, që e çon në 1,578,790 numrin e vaksinave të mbërritura deri tani, ju uroj të gjithëve një ditë të mbarë”, shprehet Rama.
Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale Ogerta Manastirliu ka bërë të ditur se do të vijojnë edhe ditët e hapura të vaksinimit për grupmoshat mbi 18 vjeç si dhe do të ulet edhe fasha e vaksinimit.
Manastirliu ka theksuar se ky do të jetë një sezon, ku fokusi do të jetë tek vaksinimi dhe mbrojtja e jetës së çdo qytetari.
“Do të intensifikojmë vaksinimin antikovid, me ditët e hapura të vaksinimit masiv, vaksinimin derë më derë dhe uljen e fashës së vaksinimit, duke u dhënë mundësi sa më shumë qytetarëve të vaksinohen dhe të mbrohen nga Covid-19”, shprehet ministrja.
Ndërkaq vaksinimi masiv vijon me kalendar të kombinuar, nëpërmjet njësive të lëvizshme në komunitet, krahas në pikat e përqendruara të vaksinimit dhe në qendrat shëndetësore.
Aktualisht po kryhet vaksinimi për personat mbi 50 vjeç dhe punonjës të institucioneve në kontakte direkte me qytetarët.
Në 24 orët e fundit janë kryer 6433 vaksinime dhe prej fillimit të vaksinimit janë kryer në total 1,035,667 doza të vaksinës ndaj COVID-19. Prej tyre 443,165 qytetarë i kanë marrë të dyja dozat e vaksinës anti-COVID.
/r.e/


















