TIRANË, 15 korrik/ATSH/ Të ardhurat totale 6-mujorin e vitit 2021 u realizuan në masën 234.3 mld lekë ose 104 % të planit të 6-mujorit.
Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj deklaron se krahasuar me një vit më parë, të ardhurat janë rritur me 39 miliardë lekë më shumë.
“Treguesit fiskalë të janar-qershor 2021, tregojnë se ekonomia shqiptare po vijon të performojë pozitivisht. Mbetemi të angazhuar në realizimin e planit të të ardhurave dhe shpenzimeve”, shprehet Denaj, duke publikuar të dhënat 6–mujore të të ardhurave dhe shpenzimeve.
Shpenzimet e përgjithshme publike, për 6-mujorin e vitit 2021, u realizuan në masën 95.8 % të planit të periudhës.
“Në përputhje me parashikimet buxhetore dhe të indikatorëve makroekonomikë, niveli i deficitit në muajin e gjashtë të vitit 2021 rezultoi në rreth 29.1 miliardë lekë. Gjatë kësaj periudhe është ulur stoku i rimbursimit të TVSH-së me 10 miliardë lekë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar”, bën të ditur Ministria e Financave dhe Ekonomisë.
/k.s/r.e/














