NJU JORK, 6 korrik /ATSH-AFP/ – Departamenti Amerikan i Mbrojtjes ka njoftuar anulimin e megakontratës “Cloud” prej 10 miliardë dollarësh me Microsoft, e lidhur në 2019 dhe e kundërshtuar nga Amazon.
Pentagoni shpjegoi në një njoftim për shtyp se kjo kontratë “nuk plotëson më nevojat e saj” për shkak të “ndryshimit të kërkesave” dhe “përparimeve në sektor”.
Ai planifikon të fillojë një procedurë të re për të punësuar kompani të ndryshme të specializuara në “Cloud”.
“Me evolucionin e mjedisit teknologjik, është bërë e qartë se kjo kontratë (…), që është vonuar për një kohë të gjatë, nuk plotëson më kërkesat për të mbushur boshllëqet e kapaciteteve të Ministrisë së Mbrojtjes”, tha një zëdhënës në një deklaratë.
Kjo megakontratë, për një periudhë 10-vjeçare synonte të modernizonte të gjitha sistemet kompjuterike të Forcave të Armatosura Amerikane në një sistem të menaxhuar nga Inteligjenca Artificiale./ /ervo/






















