TIRANË, 5 korrik/ATSH/ Primet e sigurimit vullnetar, gjatë periudhës janar-maj të këtij viti arritën rreth 3 miliardë lekë, 21.17 % më shumë se në periudhën janar-maj 2020.
Por ndryshe nga të ardhurat Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare (AMF) raportoi se numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 14.82 %, krahasuar me periudhën janar-maj 2020.
Tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.95 % të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë përkatësisht sigurimet e Jetës me 7.04 %
Sipas AMF-së, primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë periudhës janar-maj 2021, patën rritje me 21.06 % kundrejt periudhës janar-maj 2020.
Në portofolat e pronës, përgjegjësive, garancive të cilat gjatë periudhës janar-maj 2021 siguruan mbi 1,596 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 69.71 %, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme me 20.71 % të totalit.
Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-maj 2021, vihet re një rritje prej 41.13 % e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 11.09 % e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-maj 2020.
Të ardhurat nga sigurimet e aksidenteve dhe shëndetit, gjatë periudhës janar-maj 2021, arritën në rreth 526 milionë lekë, duke shënuar një rritje prej 8.15 % në krahasim me periudhën janar-maj 2020.
Primet nga sigurimet e Jetës gjatë periudhës janar-maj 2021, arritën rreth 493 milionë lekë, ose 21.58 % më shumë se në periudhën janar-maj 2020.
/j.p/r.e/












