Ballina Aktualitet

Plotësimi i vakancave krijuar nga Vetingu/ Ibrahimi: KLP ka propozuar dy ndryshime legjislative konkrete

TIRANË, 1 korrik /ATSH – I. Vata/ Kryetari i KLP-së, Gent Ibrahimi, në një intervistë televizive deklaroi sot se për plotësimin e vakancave të krijuara nga procesi i Vetingut, KLP ka propozuar dy ndryshime legjislative konkrete.

Në lidhje me një përqindje të lartë të gjyqtarëve dhe prokurorëve të shkarkuar nga Vetingu, Ibrahimi tha se “padyshim që efekti anësor i kësaj ka qenë edhe krijimi i këtyre vakancave të shumta, në një sasi dhe në një nivel të papritur në sistemin e drejtësisë. Po shikojmë një numër të madh gjyqtarësh dhe prokurorësh, që po e lënë sistemin si rezultat i procedurave të Vetingut. Po i afrohemi një niveli afro 70 % të atyre që hynë në procesin e Vetingut, por nuk ia dalin. Kjo është e papritur”.

Në lidhje me plotësimin e vakancave të krijuara dhe prurjet nga Shkolla e Magjistraturës, Ibrahimi tha se “konkretisht është fjala për dy ndryshime legjislative”.

“I pari ka të bëjë me përshpejtimin e futjes në sistem të studentëve të Shkollës së Magjistraturës. Në rast se ligji aktual parashikon që një student i Shkollës së Magjistraturës emërohet gjyqtar dhe prokuror në krye të tre viteve, ne propozojmë që kjo periudhë të përshpejtohet, pra të futen në sistem brenda dy viteve dhe viti i tretë të konvertohet në një vit pune. Propozimi i dytë është fakti që ish-anëtarët e Këshillave, në përfundim të mandatit të tyre, të emërohen në sistem”, tha Ibrahimi.

Ibrahimi ka komentuar kritikat e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila tha para pak ditësh, që mos të ketë pengesa për Reformën në Drejtësi. Për kreun e KLP-së këto pengesa lidhen me kohën e rezultateve nga institucionet.

“Ngecje mund të kuptohet fakti që ende nuk po i shikojmë rezultatet e institucioneve të reja të krijuara. Këto efekte janë afatgjata. Për shembull, po të marrësh efektet që sjell Këshilli i Lartë i Prokurorisë, ato janë profesionalizmi dhe integriteti në sistemin e Prokurorisë, sikurse meritokracia, pra janë efekte afatgjata. Nga ana tjetër, efektet që vijnë nga SPAK janë më të shpejta. Kështu që, unë do të thoja që ka një ngecje, por pa dyshim që ka edhe një padurim nga ana e të gjithëve, përfshirë këtu edhe ambasadoren amerikane Yuri Kim, për sa u takon rezultateve”, tha ai.

I pyetur në lidhje me emërimin e kryeprokurores së Tiranës, Elisabeta Imeraj, pavarësisht se kjo e fundit nuk i ka mbyllur procedurat me Vetingun, Ibrahimi tha se, pa garë dhe pa meritokraci sistemi kalon në kolaps.

“Ligji nuk e kërkon që, një prokuror apo një gjyqtar të ketë kaluar Vetingun përpara se të transferohet apo të ngrihet në detyrë. E vetmja gjë që kërkon ligji është që një prokuror të mos emërohet në SPAK, në rast se nuk ka kaluar Vetingun. Ne nuk mund të pezullojmë sistemin e karrierës brenda sistemit të prokurorisë deri në përfundim të procesit të Vetingut, i cili përfundon pas 5 vitesh. Po nuk pati sistem karriere, gara profesionale brenda sistemit vdes, meritokracia vdes dhe i gjithë sistemi kalon në kolaps”, tha ai.

Në fund, Ibrahimi shtoi se “prokurorët apo gjyqtarët që duan karrierë në drejtësi, do të përballen me Veting permanent përgjatë gjithë jetës së tyre profesionale”. /j.p/r.e/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakKosovë/ Asnjë humbje jete dhe 10 raste të reja me COVID-19
Artikulli tjetërSHBA – Mbi 46 gradë Celsius dhe dhjetëra viktima nga hipertermia