TIRANË, 27 qershor/ATSH/ 30 qershori është afati përfundimtar për plotësimin e Deklaratës Individuale Vjetore të të Ardhurave (DIVA).
Detyrimin për dorëzimin elektronik të deklaratës e kanë individët rezidentë dhe jo rezidentë në Shqipëri, të cilët kanë qenë të punësuar në më shumë se 1 punëdhënës në vitin 2020 dhe kanë realizuar të ardhura mbi 2.000.000 (dy milionë) lekë.
Në aktin normativ të fillimit të muajit maj u vendos shtyrja e afatit për dorëzimin e deklaratës vjetore individuale të të ardhurave (DIVA) 2020 duke iu dhënë kohë individëve deri më 30 qershor 2021 të plotësonin këtë detyrim.
Po ashtu, përmes këtij akti u vendos që sanksionet administrative për mosplotësimin e këtij detyrimi brenda afatit të përcaktuar në ligj që është 30 prilli të falen, me kushtin që dorëzimi i deklaratës dhe pagesa e detyrimit të rezultuar të kryhen deri në datë 30 qershor 2021.
Deklarimi i të ardhurave, përveç se është detyrim ligjor, i çdo individi subjekt i deklarimit, është edhe një garanci më shumë, lidhur me justifikimin e pasurisë së tij. /a.a/












