Ballina Aktualitet

Maturantët vijuan sot sërish protestën

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Maturantët kanë vijuar edhe ditën e sotme protestën për vështirësinë në provimin e matematikës, që zhvilluan më 11 qershor.

Të rinjtë maturantë teksa kanë bllokuar rrugën e Durrësit, pranë Ministrisë së Arsimit, u shprehen se provimi i matematikës ishte shumë i vështirë dhe kërkojnë që të ulet pragu i pikëve.

Ata kanë theksuar se nuk ka dialog dhe as negociata pa plotësuar kërkesat e tyre.

Pas protestës te Ministria e Arsimit, maturantët u zhvendosën tek Zyra e Qendrës së Shërbimit Arsimor. Ata u shprehën se testi ishte shumë i pakuptueshëm.

“Shkalla e vështirësisë shumë e lartë dhe ishin ushtrime që nuk ishim përgatitur për to. Ne kërkojmë që minimumi të zbritet pragu nga 60 në 50 dhe shuma e pikëve të marra të shumëzohet me koeficientin 1,4”, u shpreh një maturante e shkollës “Qemal Stafa”.

Një tjetër maturante tha se “ne duam të rishikohet testi dhe të bëhet një rihartim në bazë të programit që ne kemi mësuar sepse ishte jashtë tij”.

Një ditë më parë menjëherë pas protestës së maturantëve, ka reaguar edhe Ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Evis Kushi.

“Ne do të jemi gjithmonë në mbështetjen tuaj. Jemi duke vlerësuar edhe një herë me grupet e ekspertëve nivelin e vështirësisë së çdo pyetjeje në testin e matematikës. Dhe në rast se na rezulton që ai e tejkalon nivelin e parashikuar, të cilin e kushtëzon mënyra e zhvillimit të mësimit gjatë këtij viti shkollor, pa dyshim që ne do ta rishikojmë shpërndarjen e pikëve në test dhe mënyrën e vlerësimit. Ju uroj shumë suksese për provimin e radhës”, është shprehur Kushi.

Rreth 34 mijë maturantë iu nënshtruan provimit të tretë të maturës shtetërore, atij të lëndës së Matematikës. Testi në total kishte 60 pikë dhe pragu i kalueshmërisë është 25 % (15 pikë).

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprakGreqia shton numrin e kuotave ditore të personave që do të kalojnë në Pikën Kufitare të Kakavijës
Artikulli tjetërRitëm i lartë punimesh në bajpasin e Vlorës për t’a hapur gjatë këtij sezoni turistik