Ritëm i lartë punimesh në bajpasin e Vlorës për t’a hapur gjatë këtij sezoni turistik

TIRANË, 13 qershor/ATSH/ Punimet për ndërtimin e bajpasit të Vlorës po vijojnë me ritme të larta për të bërë të mundur hapjen brenda këtij sezoni turistik, në mënyrë provizore duke i shërbyer sezonit turistik për të lehtësuar trafikun e rënduar që krijohet nga Radhima deri tek Kalaja në Vlorë

Ministrja e Financave dhe Ekonomisë, Anila Denaj publikoi sot pamje të kantierit të punës në këtë bajpas.

Deri tani ka përfunduar shtresa e parë asfaltike në pothuajse 20 km të projektit, ndërtimi i 2 urave, dhe po punohet intensivisht në urën nr. 4.

Gjithashtu, kanë përfunduar të gjitha rrethrrotullimet dhe po vazhdon puna për ndriçimin dhe pajisjen e tyre me sinjalistikën e nevojshme.

Bajpasi i Vlorës me një gjatësi prej 29 kilometrash, ka 5 ura, si dhe 15 rrethrrotullime, të cilat do ndihmojnë lehtësimin e trafikut në këtë aks rrugor.

Rruga lidh autostradën Levan-Vlorë me rrugën nacionale bregdetare Vlorë-Sarandë, duke ndikuar edhe në lehtësimin e fermerëve, për daljen më shpejt në tregje të prodhimit bujqësor dhe nxitjen e agroturizmit.

Në bazë të nenit 4 të ligjit ”Për funksionimin e Agjencisë Telegrafike Shqiptare”, ndalohet kopjimi, riprodhimi dhe publikimi i informacionit pa cituar burimin e tij.