BERLIN, 22 maj /ATSH-DPA/ – Gjermania ndryshoi klasifikimin e saj për Britaninë e Madhe duke e identifikuar atë si një zonë të variantit indian të virusit për shkak të përhapjes së llojit të koronavirusit të identifikuar së pari në Indi, deklaroi Instituti Robert Koch (RKI).
Masa do të thotë që kufizime të rëndësishme të udhëtimit do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme.
Kompanitë ajrore, hekurudhat dhe autobusët do të jenë në gjendje të sjellin vetëm shtetas ose banorë gjermanë në vend.
Të mbërriturit në Gjermani do të duhet të kalojnë dy javë në karantinë, pa asnjë ulje të mundshme edhe nëse ato janë negative për virusin.
“Ky hap është i vështirë për Britaninë e Madhe, por është i nevojshëm për të parandaluar përhapjen e shpejtë të variantit indian në Gjermani”, deklaroi zëdhënësi i ministrit gjerman të Shëndetësisë, Jens Spahn.
“Nëse do të vazhdojmë të zvogëlojmë numrin e infeksioneve, duhet të parandalojmë që variante ngjitëse të virusit të rrezikojnë zhvillime pozitive”, shtoi ai.
Britania e Madhe është vendi i parë në Europë që identifikohet si një zonë e variantit indian të virusit, kategoria e rrezikut më të lartë në Gjermani.
Kategoria aktualisht zbatohet në 11 vende në Azi, Afrikë dhe Amerikën e Jugut. /os/






















