TIRANË, 19 maj/ATSH/ Zëvendëskryeministri Erion Braçe reagoi sot pas vendimit të DASH që shpalli “non grata” ish-kryeministrin Sali Berisha dhe familjen e tij.
“SHBA i ndalojnë hyrjen në vend “familjes”! Berisha dhe familja e tij ndalohen për shkak të korrupsionit dhe luftës ndaj demokracisë. Në këtë moment të vetmit që më vijnë në mendje janë Ziver Veizi, Faik Myrtaj, Hekuran Deda, Aleks Nika të pushkatuar për të mbrojtur korrupsionin e familjes; 26 të vrarët nga shpërthimi i korrupsionit të familjes në Gërdec”, tha ai.
Balla: Kjo është një ditë e bukur për demokracinë shqiptare
Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla përshëndeti sot vendimin e SHBA-së ndaj Sali Berishës.
Balla tha se kjo është një ditë e bukur për demokracinë shqiptare.
Ai ndau deklaratën e Sekretarit Amerikan të Shtetit, Antony Blinken sipas së cilit: “Aktet e korruptuara të ish-presidentit të Shqipërisë Sali Berisha kanë minuar demokracinë në Shqipëri. Po e shpall Berishën dhe anëtarët e afërt të familjes së tij si të papranueshëm për të hyrë në Shtetet e Bashkuara. Ne mbetemi të bashkuar kundër korrupsionit me partnerët tanë në Shqipëri”.
Basha: Transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim
Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha në reagimin e tij shprehu keqardhjen për vendimin e Sekretarit të Shtetit për ish-presidentin dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.
“Duke nënvizuar qëndrimin e Berishës, i cili pasi shpreh keqardhjen për vendimin dhe e konsideron atë pa asnjë bazë konkrete, bëj thirrje për transparencë të plotë mbi çdo fakt e dokument që ka lidhje me këtë vendim”, tha Basha.
“Dr. Berisha është padyshim udhëheqësi shqiptar që ka dhënë kontributin më të çmuar për zhvillimin e vendit dhe forcimin e demokracisë, dhe çoi miqësinë dhe aleancën strategjike të Shqipërisë me SHBA në nivelet më të larta”, u shpreh Basha.
Basha shtoi se, “gjatë kohës që Berisha ishte Kryeministër, Shqipëria përmbushi të gjitha reformat e nevojshme për anëtarësimin në NATO, si dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Europian, ku lufta ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar ishin kryekushte. Në të gjitha këto arritje partner kyç i qeverisë shqiptare ishin Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Për fat të keq, ndryshe ka ndodhur në këto 8 vite, ku për shkak të korrupsionit masiv në çdo sektor dhe lidhjeve të pushtetit me krimin e organizuar, Shqipëria ka mbetur në vendnumëro në zbatimin e reformave që i duhen vendit, si anëtar i NATO-s dhe aspirant për vend anëtar i Bashkimit Europian”, tha Basha.
Basha theksoi se, “vendimi i sotëm i Sekretarit të Shtetit nuk cenon arritjet madhore të Shqipërisë nën drejtimin e Sali Berishës, kontributin e tij madhor në demokratizimin e Shqipërisë dhe reformat që e afruan vendin me partnerët tanë euroatlantikë, dhe aq më pak marrëdhënien e shkëlqyer të Partisë Demokratike me Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Ne i konsiderojmë SHBA aleatin tonë strategjik më të rëndësishëm për Shqipërinë, dhe luftën ndaj krimit të organizuar dhe korrupsionit si prioritet absolut kombëtar”, tha Basha.
“Partia Demokratike është e vendosur të vazhdojë pa asnjë kompromis luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, në dobi të demokracisë, shtetit të së drejtës, transparencës dhe mirëqenies së Shqipërisë dhe kombit shqiptar”, përfundoi Basha.
Xhafaj: Mesazh i qartë i aleatit tonë strategjik në mbështetje të drejtësisë së re dhe të pavarur
Deputeti i PS-së Fatmir Xhafaj, ka përshëndetur vendimin e SHBA-së ndaj Sali Berishës, të cilin e ka cilësuar një mesazh të qartë në mbështetje të drejtësisë së re.
“Përshëndes vendimin e drejtë të DASH, që është një sinjal i qartë e konseguent për nevojën jetike për konsolidimin e demokracisë dhe shtetit të së drejtës në Shqipëri. Ky ishte një mesazh i qartë i aleatit tonë strategjik në mbështetje të drejtësisë së re dhe të pavarur. Koha për të bërë drejtësi. Luftë frontale ndaj pandëshkueshmërisë të të korruptuarve dhe krimit të organizuar. Ka SHBA, ka drejtësi dhe ka Zot”, shprehet Xhafaj.
Selami: Fillimi i fundit të korrupsionit
Ish-kryetari i Partisë Demokratike, Eduard Selami ka falenderuar SHBA për vendimin ndaj Sali Berishës.
Ai e konsideron si fillimi i fundit të korrupsionit dhe pandëshkimit të lartë në Shqipëri.
“Fillimi i fundit të korrupsionit dhe pandëshkimit të lartë dhe të gjatë në Shqipëri. Faleminderit USA!”, shprehet Selami.
/m.m/j.p/r.e/





















