Ballina Bota

BRUKSEL – Borrell bën thirrje për armëpushim në Lindjen e Mesme

BRUKSEL, 19 maj /ATSH-DPA/ – Kreu i diplomacisë europiane, Josep Borrell bëri thirrje për “një fund të menjëhershëm të çdo dhune dhe zbatimin e një armëpushimi” midis izraelitëve dhe palestinezëve, pas një takimi urgjent të ministrave të Jashtëm të BE-së.

“Qëllimi është të mbrohen civilët dhe të lejohet hyrja e ndihmave humanitare në Gaza”, tha Borrell, duke theksuar se kjo deklaratë kishte mbështetjen e 26 prej 27 shteteve anëtare të Bashkimit Europian, por jo të Hungarisë.

Diplomati e konsideroi “si të papranueshme numrin e lartë të viktimave civile, përfshirë gratë dhe fëmijët”.

“Ne dënojmë sulmet me raketa nga Hamas dhe grupe të tjera terroriste në territorin e Izraelit dhe mbështesim plotësisht të drejtën e Izraelit për vetëmbrojtje (…) por kjo duhet të bëhet në një mënyrë proporcionale dhe duke respektuar ligjin ndërkombëtar humanitar”, shtoi ai.

Më në fund, ai tha se siguria e palestinezëve dhe izraelitëve “kërkon një zgjidhje të vërtetë politike”./ /ervo/

Sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”, i ndryshuar, ndalohet kopjimi, publikimi, shpërndarja dhe tjetërsimi pa cituar Agjencinë Telegrafike Shqiptare.
Artikulli paraprak”Ryanair” kundër agjencive online: për kursime dhe siguri rezervoni te ne
Artikulli tjetërRriten ndjeshëm eksportet drejt Greqisë, kryesojnë mineralet dhe tekstilet